Imamët e Shkodrës, hytbe dhe lutje masive për t’u distancuar nga haramet

Paraditën e së hënës, më 7 gusht 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një takim pune me një grup imamësh, me të cilët diskutoi realitetet e përditshme shqiptare, ku janë shtuar haramet, pasiguria për jetën, pijet alkoolike dhe ato narkotike, krimi brenda familjes, zjarret masive, thatësira, injoranca, korrupsioni, mungesa e ligjit, padrejtësitë ndaj pronarëve të ligjshëm që u janë zaptuar pronat, (si, vakëfet e Myftinisë) etj.

Myftiu theksoi se karshi këtyre realiteteve, është detyrë e Myftinisë, Myftiut, imamëve dhe thirrësve islamë, të bëjnë thirrje që njerëzit të kthehen nga Zoti, të kërkojnë falje të penduar dhe të largohen nga imoraliteti, shthurrja, veset dhe mosrespektimi i fesë së Zotit.

Ai tha se tradita e muslimanëve në kësi realitetesh është të luten e të kërkojnë falje, të mblidhen bashkarisht si një zemër e vetme dhe t'i dejtohen Zotit të gjithësisë për falje e shi.

U ra dakort që hytbeja e datës 11 gusht 2017, t'i përkushtohet kësaj teme, si dhe të përgatitet një mesazh i përgjithshëm drejtuar shoqërisë, për t'u distancuar nga haramet dhe e keqja që ka përfshirë vendin.

Njëkohësisht, ditën e xhuma, në të gjitha xhamitë e Shkodrës do të bëhen lutje dhe istigfare masive për kërkim të shiut dhe mëshirës së All-llahut për krijesat e Tij!