Myftiu lajmëroi ndryshimin e imamit të xhamisë Tophanë

Mbrëmjen e së hënës, më 7 gusht 2017, pas faljes së namazit të akshamit në xhaminë e Tophanës, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, lajmëroi të pranishmit për një ndryshim në strukturën e drejtimit të xhamisë.

Në prani të imamit të nderuar, Husejn Muça, Myftiu lajmëroi se pasi mori në shqyrtim kërkesën e imamit të deritanishëm për t’u liruar nga shërbimet e tij në këtë xhami, për arsye objektive, që nuk lidhen me aktivitetin e xhamisë, vendosi të propozojë për imam/hatib të ri të xhamisë Tophanë, të nderuarin z. Ferid Rrilla.

Myftiu e prezantoi imamin e ri me xhematin, sikurse vlerësoi kontributin e çmuar të imamit Husejn Muça në shërbim të ruajtjes së harmonisë së xhematit, edukimit të fëmijëve dhe afrimin e rinisë me xhaminë.

Myftiu lajmëroi gjithashtu se, duke nisur nga e enjtja që vjen, më datë 10 gusht 2017, do të rinisë dersin e tij të përjavshëm pas akshamit në xhaminë e Tophanës.