Myftiu: “Dhikri, çelës i sekreteve të mbarësisë!”

Me ftesë të drejtorit të konviktit të djemve, pranë Medresesë "Haxhi Sheh Shamia", z. Gezim Dungaj, mbrëmjen e së martës, më 14 nëntor 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mbajti një ligjëratë para medresistëve të pranishëm.

Në ligjëratën e tij, Myftiu u ndal tek sfida e virtyteteve dhe moralit në realitetet e të rinjve të sotëm shqiptar dhe domosdoshmëria e kuptimit të vlerave të identitetit islam, që qëndron në themel të identitetit kombëtar, në këtë kontekst.

Myftiu tha se brumosja me besën, ruajtjen e amanetit, ruajtjen e tabanit familjar të mëkuar me dashninë e All-llahut dhe atë të dërguarit të Tij, mbeten një qëllim fisnik në rrugën e mbrojtjes së të sotmes nga kërcënimi i hutimit, shthurrjes morale, humbjes së kohës, propagandave të shumta drejt afetarizmit dhe të jetuarit pa besim.

Gjatë ligjëratës së tij, Myftiu theksoi se veshja me virtytet e fesë dhe besimit në Islam plotësohet me vullnetin e muslimanit për të mos u ndarë nga dhikri i vazhdueshëm i All-llahut, që është çelësi i sekreteve të mbarësisë në jetën e individit.