Promovohet libri: “40 Hadithe me nga dy porosi”, i teologut Lavdrim Hamja

Mbrëmjen e së xhumasë, më 9 shkurt 2018, në bibliotekën e qytetit, Myftinia Shkodër organizoi promovimin e librit "40 Hadithe me nga dy porosi", të teologut Lavdrim Hamja.

Aktivitetin e hapi teologu Arben Halluni, i cili pasi i uroi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre bëri një prezantim të shkurtër të botimit të kolanës me "40 Hadithe", sjellë në gjuhën shqipe nga teologu Lavdrim Hamja dhe redaktuar nga Imam Muhamed Sytari.

Më pas e mori fjalën Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili pasi falënderoi autorin për librin e ri, ndër të tjera tha: "Seria e katërt e kolanës së dyzet haditheve, të përzgjedhura, përkthyera e përshtatura prej tij në gjuhën shqipe, është një risi e bukur dhe plot dobi në historinë e botimeve islame në gjuhën shqipe. Është një risi, që pasqyron më së miri atë, që vetë autori thekson në parathënien e botimit të tij të ri: “Nuk ka dyshim, se pa e njohur jetën e të Dërguarit të Allahut (a.s), apo siç quhet ndryshe në terminologjinë islame, Synetin e tij, nuk mund ta ndjekim e ta pasojmë në vepra, në moral dhe sjellje.”

Pikërisht, nëpërmjet kësaj vepre të vogël në dukje, lexuesi mund të përfitojë njëherazi 80 porosi të urta nga burimi i urtisë së Hz. Muhammedit (a.s). Sidomos sot, kur propaganda islamofobe, edhe në gjuhën shqipe dhe në trojet tona, mundohet të bëjë rolin e zhurmuesit dhe penguesit të pamoralshëm para duarve të rinisë dhe masës së gjerë, leximi i këtyre haditheve dhe i këtij model botimesh, mendoj se ka një rëndësi dhe vlerë të madhe në drejtim të pastrimit të imazhit të gabuar të krijuar rreth Islamit, si dhe në drejtim të përftimit të vlerave reale të fesë sonë, nga burimi i të Dërguarit të All-llahut!"

Më pas, teologu Idmir Plaku, në analizën e tij u ndal tek titulli i librit, ku theksoi se ky titull ka qenë në traditën e hershme të dijetarëve myslimanë, të cilët i gruponin hadithet e Pejgamberit (a.s) në tematika të ndryshme.

Gjithashtu, ai u ndal edhe tek disa hadithe të veçanta të këtij botimi, duke sjellë për të pranishmit dhe njëkohësisht edhe për lexuesit, vlerën e fjalës së Profetit (a.s).

Në fund e mori fjalën edhe autori i këtij libri, teologu Lavdrim Hamja. Në fjalën e tij, teologu Hamja, në lodhje me traditën e të Dërguarit të Allahut (a.s), ndër të tjera tha: "Sigurisht që kjo traditë është e gjerë dhe gjithëpërfshirëse, e ndoshta myslimani e ka të vështirë, apo të pamundur të arrijë ta njohë, ta lexojë, ta studiojë e ta zbatojë të gjithën.

Prandaj, gjëja më e bukur dhe më e mirë, do të ishte përzgjedhja dhe ndalimi tek ato pjesë, që janë më parësore dhe më mundura për tu zbatuar. Në fakt, ky ka qenë edhe qëllimi jonë, për të sjellë në gjuhën shqipe, fillimisht, pjesën parësore të Traditës Profetike.

E kam filluar me "40 Hadithe për mirësinë e diturisë", pastaj me "40 Hadithe për mirësinë e agjërimit dhe të Ramazanit", pastaj me "40 Hadithe për mirësinë e Kur'anit" dhe libri që sot po promovojmë, "40 Hadithe me nga dy porosi".

Në përfundim të këtij promovimi, për të pranishmit u bë edhe shpërndarja e librit: "40 Hadithe me nga dy porosi".