Fetarizmi formal…

Hz. Omeri (r.a) pyeti një ditë rreth një personi, se mos e njihte njeri. Një burrë në prani të tij, tha: Unë e njoh, o prijës i besimtarëve!

Hz. Omeri e pyeti: Mos e ke gjë komshi, sepse komshiu është më i dituri i njerëzve mbi sjelljen e komshive të tij!

Burri ia ktheu: Jo!

Hz. Omeri vazhdoi: Mos ke udhëtuar gjë me të, sepse udhëtimet zbulojnë natyrat e njerëzve!

Burri tha: Jo!

Hz. Omeri pyeti: Mos vallë ke bërë tregëti me të dhe ke bashkëpunuar me të me dinar e dirhem, sepse këta të dy e zbulojnë brumin e njeriut!

Burri tha: Jo!

Hz. Omeri ndërhyu: Se mos e ke parë gjë në xhami duke tundur kokën e tij, në këmbë dhe ulur?

Burri tha: Po!

Hz. Omeri ia ktheu: Ulu se nuk e njeh!

Hz. Omeri e dinte mirë se njeriu ka mundësi ta zhveshë rrobën e fesë tek dera e xhamisë, pastaj të veshë këpucët e tij dhe të vërsulet drejt botës si i tërbuar, duke ngrënë pasurinë e njërit e duke thumbuar nderin e tjetrit!?

Ai e dinte mirë se mjekrat mund të bëhen mburoje, pas të cilave fshihen hajdutë të shumtë dhe, se velloja e zezë, nuk tregon domosdoshmërisht se nën të qëndron një grua e ndershme!?

Ai e dinte se misvaku mund të duket si synet, me të cilin mprehim dhëmbët tanë për të ngrënë mishin e njëri-tjetrit (me gibet)!?

Ai e dinte se namazi mund të kthehet në një shfaqje elegante për një mashtrues, sikurse haxhi mund të kthehet në një adhurim social elitar për një të pafytyrë!?

Ai besonte se fetarizmi që nuk pasqyron një gjurmë në sjellje, është fetarizëm i thatë!

Indonezia, nuk është bërë muslimane me shpatë, përkundrazi, e ka pranuar Islamin nëpërmjet ca tregtarëve muslimanë; nga sjellja dhe besueshmëria e tyre! Ata nuk i tregtonin mallrat me fenë e tyre! Për këtë, njerëzve u pëlqeu sjellja e tyre dhe thanë: Kjo është fé!

Besimi i rremë është më i keq se femohimi i hapur, edhe pse të dy janë një sherr i madh! Ndërsa mënyra e sjelljes me të tjetrët, ajo është boshti i fetarizmit të saktë!

Nëse njerëzit nuk arrijnë ta bëjnë dallimin në mes të tregtarit fetar dhe tregtarit jofetar, atëherë, ku qëndron vlera e fetarizmit?

Nëse bashkëshortja nuk e bën dallimin në mes të bashkëshortit fetar dhe atij jofetar, atëherë, ku qëndron vlera e këtij fetarizmi? Dhe e kundërta, poashtu!

Nëse prindërit nuk e bëjnë dot dallimin në mes të respektit të fëmijës fetar dhe atij jofetar, atëherë përse ky fetarizëm?

Është fatkeqësi nëse nga haxhi ynë nuk marrim, veçse hurmat, ujin e zemzemit, sexhadet e prodhuara në Kinë dhe vaktet me pulë të pjekur!?

Është fatkeqësi nëse nga agjërimi ynë nuk marrim, veçse llojet e ushqimeve, pijet freskuese, emisionet televizive dhe dramat seriale!?

Është fatkeqësi nëse namazet tona kthehen në lëvizje gjimnastikore, prej të cilave përfitojnë muskujt dhe gjymtyrët, por jo zemra e jonë!?

Shfaqjet e fetarizmit janë një gjë e lavdëruar, sepse ne krenohemi me fenë tonë, formalisht dhe në përmbajtje! Por, është e turpshme të kapemi pas formës dhe të lëmë përmbajtjen!

Feja i ktheu barinjtë e dhenve në udhëheqës të popujve! Ajo nuk ua ndërroi format, por ndërroi përmbajtjen e tyre!

Ebu Xhehli vishte të njëjtën xhybe dhe çallmë që vishte edhe Ebu Bekri! Mjekra e Umeje ibn Khalefit ishte e gjatë, njësoj si mjekra e Abdull-llah Ibn Mes’udit! Shpata e Utbes ishte prodhuar nga i njëjti material, prej ku ishte prodhuar edhe shpata e Khalidit!

U përngjanë në forma, u ndanë në përmbajtje!

Ky është adhurimi në një kuptim gjithpërfshirës; çdo gjë që All-llahu e do dhe e pëlqen prej fjalëve dhe veprave të dukshme dhe të padukshme!

Ky është Islami!

Dr. Muhammed Ali Es-Salabi(Bengazi, Libi)

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip
Muhamed B. Sytari

Shkodër, më 25 maj 2016