Kur agon Dielli i rimëkëmbjes së ymetit…

Heronjtë e mëdhenj të historisë sonë mbeten përherë pika referimi në rrugën e rimëkëmbjes.

Një ymet që u ngjiz me thirrjet hyjnore për dije, durim, mëshirë, drejtësi, ndershmëri, paqe, qëndrueshmëri para sfidave, butësi në mes vete, forcë në përballje me armiqtë, edukim, largpamësi, mbrojtje të të shtypurve, bamirësi dhe përkrahje për skamnorët, ekonomi të fortë, zhvillim shkencor, por jo vetëm, nuk mund të qëndrojë përherë në hutim dhe larg zhvillimit.

Zhvillimet e dekadës së fundit në botën islame, pushtimet barbare të tokave dhe shteteve të tyre, keqpërdorimi i fesë nga shërbimet e huaja, me qëllim njollosjen e saj; përhapja e urrejtjes kundër Islamit dhe muslimanëve, shfytëzimi i figurave të caktuara anëmbanë botës islame për përhapjen e mendimeve dhe lëvizjeve të reja islame, që e mbajnë ymetin në përgjumje dhe pasivitet intelektual, politik dhe ekonomik; pandershmëria e organizmave botërore në trajtimin e çështjeve të ndryshme që lidhen me interesin e muslimanëve në botë, etj., janë mjaftueshëm arsye për mbajtjen e frymës dhe mospranimin e shfrytëzimit të kohës dhe e energjive tona për qëllimet e tyre!

Ymeti po zgjohet! Dielli i rimëkëmbjes dhe rikthimit të madhështisë së ymetit të Hz. Muhammed Mustafasë, tashmë ka aguar!

Secili është i ftuar të punojë me sa ka mundësi dhe forcë për këtë epokë të re, në të cilën nuk lejohet humbja e kohës, përçarja, largimi nga njëri-tjetri, sektarizimi vrastar, xhematizimi fanatik, izolimi dhe mbyllja në guackat e thirrjeve të xhahilijes!

Mos u shqetësoni për fenë e All-llahut dhe Thirrjen e Tij! Ato do vazhdojnë të ndriçojnë njerëzinë dhe të ftojnë Njeriun drejt paqtimit me veten, Zotin dhe gjithësinë! Amaneti i Tij nuk humbet asnjëherë, për asnjë arsye, për asnjë propagandë, për asnjë forcë në botë, që përpiqet pa ia nda, që ky besim e kjo fé të zbehen, të mjegullohen, të tjerësohen!

Mos u shqetësoni për fenë e Hz. Muhammedit (a.s.) se, Dritën e Thirrjes së tij s’e shuan asgjë në botë!

Lutuni të na bëjë All-llahu prej burrave që dijnë të ruajnë amanetet, që jetojnë për ta dhe që me madhështinë e shpirtit islam dijnë të thërrasin gjithësinë drejt tij, me krenari në mesin e njerëzve dhe përulje vetëm para duarve të Krijuesit!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 24 qershor 2018