Miq dhe vizitorë të shumtë urojnë festën e Fitër Bajramit

Ditën e parë të Fitër Bajramit, më 15 qershor 2018, pas kryerjes së ceremonisë dhe faljes së Fitër Bajramit në xhamitë e qytetit, Myftinia Shkodër organizoi pritjen tradicionale të miqve dhe vizitorëve, me rastin e kësaj dite të madhe për mbarë besimtarët myslimanë.

Imamët dhe këshilltarët e pranishëm të Myftinisë Shkodër, kanë pritur me këtë rast në ambientet e xhamisë së Parrucës miqtë dhe vizitorët e shumtë, duke nisur nga drejtuesit më të lartë të institucioneve fetare të Shkodrës, drejtuesit e institucioneve vendore e lokale, deputetët, intelektualët dhe besimtarët e shumtë.

Miqtë dhe vizitorët e shumtë shprehën urimet e ngrohta dhe lutjet e tyre, që Zoti tua pranojë agjërimin dhe adhurimet gjithë besimtarëve, e tu japë mirësi e begati Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë.

Kjo pritje tradicionale me rastin e festave fetare dhe respektimi i tyre, nxjerr në pah vlerën e harmonisë dhe bashkëjetesës fetare, si një gjurmë e traditës së respektimit të fesë së tjetrit, veçanërisht në këto ditë, kur mbarë bota islame gëzon dhe feston ditën e madhe të Fitër Bajramit.

Myftinia Shkodër falënderon të gjithë miqtë dhe vizitorët për urimet dhe lutjet e tyre të përzemërta.