Paraditën e së hënës, më 18 qershor 2018, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një takim pune me një pjesë të stafit të Myftinisë, për të diskutuar projektin e programeve verore për nxënësit e kurseve të xhamive të Shkodrës.
Në fillim, Myftiu tërhoqi vëmendjen drejt faktit se fëmijët dhe rinia janë amanet, që nuk mund të nëpërkëmbet nga burokracitë dhe neglizhenca e askujt. Për këtë, ai kërkoi më shumë përkushtim nga sektorët përkatës, në mënyrë që atyre t’i afrohet më e mira e mundshme, sidomos gjatë stinës së verës, kur edhe alternativat janë më të larmishme dhe më të shumta.
Myftiu diskutoi projektin e hartuar prej tij, për të shfrytëzuar kohën dhe mundësitë, që nxënësit dhe të rinjtë të kenë hapësira të larmishme për të kaluar një kohë të mbushur me aktivitete dhe ekskursione, që ia mbushin verën me larminë e tyre.
Ky projekt i ri do të zhvillohet në bashkëpunim me imamë dhe institucione dhe ka për qëllim edukimin nëpërmjet aktivitetit dhe kontributit në shoqëri.