Myftiu priti përfaqësuesin e “Mercy International”, Kuvajt

Paraditën e së martës, më 23 shkurt 2016, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt përfaqësuesin e “Mercy International”, Kuvajt, z. Omar El-Kenderi, që shoqërohej edhe nga drejtori i Fondacionit “Mirësia”, z. Korab Kaja.

Gjatë takimit të përzemërt, Myftiu falënderoi kontributet e shumta të bamirësve kuvajtianë, të cilët gjatë këtyre 25 viteve të fundit, kanë kontribuar dukshëm në shërbim të rimëkëmbjes së institucioneve fetare islame, objekteve të adhurimit, qendrave sociale, atyre kulturore etj.

Myftiu tha se ndihmesat e ardhura nga Shteti i Kuvajtit kanë një vlerë të madhe për muslimanët e Shqipërisë, sikurse ngelen dëshmi besimi dhe vëllazërie edhe për të ardhmen.

Nga ana e tij, miku nga Kuvajti shprehu kënaqësinë e tij për këtë vizitë dhe vlerësoi bashkëpunimet e deritanishme të Fondacionit kuvajtian “Mercy”, por jo vetëm, në drejtim të përkrahjes së vëllezërve muslimanë në Shqipëri.

Ai tha se është për vizitë në Shqipëri, edhe për të marrë pjesë në inaugurimin e xhamisë së re të Mjedës, që me mbarësinë e All-llahut, do të zhvillohet ditën e xhuma, më 26 shkurt 2016, edhe në prani të donatorëve nga Kuvajti.

Gjatë bashkëbisedimit u diskutua edhe rreth forcimit të bashkëpunimit dhe realizimit të projekteve të reja të Myftinisë Shkodër, sidomos ato që lidhen me zhvillimin e vakëfit.