Myftiu: “Hz. Muhammedi (a.s.), shembull garant deri në kijamet!”

Mbrëmjen e së hënës, më 19 nëntor 2018, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ishte i ftuar në Star Plus tv, ku iu përgjigj pyetjeve të gazetarit Erzen Koperaj, në lidhje me përkujtimin e Lindjes së të Dërguarit të All-llahut, Hz. Muhammedit (a.s.).

Gjatë bashkëbisedimit, Myftiu hodhi dritë edhe mbi mesazhet që përcjell tek ne përkujtimi i 16 nëntorit 1990, ditës historike të xhumasë së parë masive pas diktaturës komuniste. Ai vlerësoi kontributin e hoxhallarëve të shkuar shkodranë, sikurse theksoi se, përtej dhunës dhe terrorit komunist, shqiptarët vijuan të mbanin mbi supe vlerat e diturisë dhe Thirrjes Islame në botën e lirë. Këtu përmendi dijetarët me përmasa botërore, si: Shejkh Vehbi Gavoçi, Imam Vehbi Ismaili, Shejkh Shuajb Arnauti, Shejkh Nasirudin El-Albani, Shejkh Abdulkadir Arnauti, etj.

Një pjesë të madhe të bashkëbisedimit, iu kushtua personalitetit dhe mesazhit të Vulës së të dërguarve të Zotit, Hz. Muhammedit (a.s.), ku Myftiu theksoi se, mbi të gjitha, zotëria i njerëzimit dhe i mbarë të dërguarve, ishte Njeri, që jetoi një jetë për t’u marrë shembull deri në kiamet.

Ai tha se çdo veprim a sjellje e tij, ishte dhe mbeti pikë referimi për njeriun e çdo kohe, sa të ketë jetë mbi tokë. Këtë e pasoi me shembuj konkret nga shembulli i Hz. Muhammedit (a.s.) dhe madhështia e tij si: prind, bashkëshort, gjysh, prijës elitar, dialogues me tjetrin, i urtë e largpamës, mbi të gjitha përçues besnik i Fjalës së Zotit, Kur’anit, që nuk ndryshoi, as mund të ndryshojë deri në kijamet!

Myftiu shpjegoi edhe disa hadithe, që lidhen me distancimin nga ekstremizmi në fé, koprracia e pabesia, sikurse u ndal tek kuptimet e lutjes së atij që i është bërë padrejtësi.