Myftiu: “Resulull-llahu na mësoi si ta kthejmë të keqen me të mirë, në pozita force!”

Mbrëmjen e së enjtes, më 23 nëntor 2018, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ishte i ftuar në emisionin “Perspektivë”, në Tv1 Channel, ku hodhi dritë mbi personalitetin e Hz. Muhammedit (a.s.), veçorive të thirrjes së tij, madhështisë së Kur’anit Famëlartë, etj.

Gjatë bashkëbisedimit me gazetaren Linda Kavaja, ai theskoi se Resulull-llahu (a.s.) u dërgua si vulë e krejt të dërguarve të mëparshëm, që kishin një thirrje dhe një udhëzim, që u plotësua me dërgesën universale të të fundit prej të dërguarve të Zotit Një.

Myftiu tha se, përtej vuajtjeve, lëndimeve dhe sakrificave të mëdha në jetën e thirrjes së tij, Hz. Muhammedi (a.s.) na mësoi të kthejmë të keqen me të mirë, në pozita force, jo të poshtëruar!

Njëkohësisht shpjegoi se, thirrja e Hz. Muhammedit (a.s.) ishte për mbarë botët, jo për arabët, që gjithësesi, i nxori nga injoranca e thellë në një realitet të ndriçuar nga udhëzimi i Kur’anit. Mosrepektimi i femrës, fajdet, padrejtësitë shoqërore, idhujtaria, sistemi i trashëgimisë, borxhi, imoraliteti e shumë vese të tjera të përhapura, u shëruan falë ajeteve dhe udhëzimeve të shenjta në një periudhë 23 vjeçare.

Myftiu bëri thirrje që shqiptarët të kthehen nga feja e All-llahut dhe të mos humbin kohën duke eksperimentuar me femohim e afetarizëm, sepse historia e shkurtër kombëtare është vërtetuesi më i mirë se larg fesë, shqiptarët përjetuan një dekadencë të frikshme.

Ai tha se, Islami ka ardhur për të dhuruar shpresë dhe optimizëm, dera e pendimit nuk mbyllet dhe se të gjithë jemi të gabueshëm dhe të mundur për të ndryshuar jetën, duke ia dorëzuar vullnetit të thirrjes së Krijuesit, që di më së miri se, çfarë i nevojitet njeriut për jetën dhe të ardhmen e tij.