Paraditën e së enjtes, më 13 dhjetor 2018, në xhaminë e fshatit Barbullush u organizua një aktivitet fetar, me rastin e përkujtimit të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s.).

Në një atmosferë të ngrohtë vëllazërore, përtej temperaturave të ulëta të stinës, besimtarët e pranishëm përjetuan emocione që ndezin zemrën me përkujtimin e të Dërguarit (a.s.) dhe mesazhin e tij të përbotshëm.

Në ligjëratën e tij, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, u përqendrua tek domosdoshmëria e ngritjes për rregullimin e të keqes që ka kapluar vendin!

Ai iu referua një ligjërimi të Hz. Muhammedit (a.s.), me të cilin iu drejtua sahabëve për t’i nxitur drejt korrigjimit të së keqes në jetë dhe mësimit të së mirës, që përhapet në shoqëri për ta ndryshuar zullumin dhe injorancën, korrupsionin dhe mashtrimin, afetarizmin dhe femohimin, reklamimin e të keqes dhe përhapjen e saj si një gangrenë shkatërruese në shoqëri!

Myftiu, nuk la pa përmendur edhe përhapjen e të keqes në shoqërinë shqiptare dhe keqadministrimin e Shkodrës dhe mbarë vendit, ku propagandat e shthurrura, që përhapin haramet dhe imoralitetin, sidomos në lagjet muslimane të Shkodrës, janë një alarm që na fton të mos heshtim dhe t’i refuzojmë me tërë forcën e arsyes dhe legjitimitetit të saj!

Aktiviteti u pasua me këndimin e ilahive dhe pjesëve të përzgjedhura të “Mevludit” të Hafiz Ali Ulqinakut, kushtuar lindjes së Hz. Muhammedit (a.s.) dhe dashurisë për të.