Reflektime xhumaje…

Duhet të kemi kurajon e besimit dhe të qytetarisë, të ngrihemi për të kundërshtuar të keqen dhe nxitjen përherë në rritje drejt shthurrjes, afetarizmit dhe imoralitetit, që don t’i marrë frymën vendit!

Fjala bie: çfarë kërkon reklama e madhe e mishit të derrit, në fytyrë të rektoratit, pesë hapa larg bibliotekës së qytetit dhe xhamisë së Parrucës?! (Pa përmendur reklamimin publik të alkoolit, veshjeve intime, e të ngjashme, që të gjitha së bashku vërtetojnë se dikujt, a shumëkujt i ka rënë cipa e fytyrës në tokë!?)

Ose, çfarë kuptimi ka ajo masë e madhe prej hekuri, me shkrimin: “Kamikaze”, si dhuratë e Bashkisë tonë, aty përballë xhamisë?!

Dmth, sa e sa predikime e konferenca, takime e sensibilizime kundër terrorizmit e ekstremizmit dhe ja, dhurata e madhe e “festave të fundvitit”: Kamikazja e dashur për fëmijët e lumtur të Shkodrës?! Kjo është lajthitje kolektive!

Ose, kujt ia kanë borxh zhurmën krejtësisht të papranueshme të bokseve “të çmendura”, banorët e Parrucës, sidomos ata te pallati kinez?!

Ndoshta, Bashkia duhet të bëjë llogari të reja, sidomos me politikat e saj në lagjet muslimane të Shkodrës, që jo vetëm janë krejtësisht të lëna pas dore, por nga viti në vit, ka një tendencë përherë në rritje të promovimit ndër to të një modeli dhe një frymë, që nuk shkon, as e duam në mesin tonë! Ne muslimanët kemi tjetër kulturë dhe tjetër frymë! Ata e dijnë, por bëjnë sikur s’e dijnë!

Mos e tejkaloni masën dhe kufirin, se çdo gjë e ka një kufi!

Islami është fé e dijes që ndërton, nëpërmjet të cilës zhvillohet vendi dhe shoqëria, në duart besnike të baballarëve të urtë, që punojnë dhe shpenzojnë për fëmijët dhe rininë, që të rriten në kushte normale për jetën e tyre, sidomos atë studentore, teksa e kërkojnë dijen për të qenë nesër dikush që kontribuon për shoqërinë dhe vendin!

Në momentin, kur fëmijëve dhe të rinjve tanë i errësohet drita e diellit dhe e shpresës; kur detyrohen të bëhen pjesë e një sistemi të gangrenizuar e të korruptuar arsimor; kur abuzohet me dijen, kushtet për zënien e saj dhe zhvillimin normal të jetës së tyre si studentë; kur u vështirësohet jeta në vendlindje, sa detyrohen të largohen si të dëbuar me dhunë; kur dijes i hiqet shenjtëria dhe madhështia legjitime, me të cilën e ka zbukuruar Zoti i gjithësisë; e tërë kjo shënon alarmin e madh të degradimit të vendit dhe shoqërisë!

Përballë kësaj katrahure, është e ndaluar heshtja, sepse në këtë moment, heshtja, është e barazvlefshme me miratimin e shkatërrimit dhe degjenerimit, që vret dhe shfaros të ardhmen e sigurt të kombit, vendit e shoqërisë!

Imam Muhamed B. Sytari

Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, e xhuma, 14 dhjetor 2018