Sado që themi: “All-llahu ekber”, ka ende shpresë për njerëzimin!

Ngjarja e para disa orëve në Zelandën e Re, ku besimtarët në xhami u vranë barbarisht nga një sulm terrorist plot perversitet, më solli ndër mend fjalën e Resulull-llahut (a.s.): “Do të mbërrijë kjo fé, ku ka mbërritur nata dhe dita”!

Ky i sotmi është një lajm që vërteton edhe një herë madhështinë e kësaj fjale të bekuar! Edhe atje larg në Zelandën e Re, rrezet e diellit të kësaj feje të begatë islame, rrezatojnë duke përhapur dritë e mirësi, paqe e harmoni, dije dhe qytetërim!

Të gjithë ju e kujtoni Amar ibn Jasirin, të cilit i vranë nanën dhe babën, sepse ishin muslimanët e parë! Edhe Amarin e ri e kryqëzuan, me qëllim që të hiqte dorë nga besimi, të mohonte All-llahun, Kur’anin, Hz. Muhammedin (a.s.)!

Ndodhia e sotme, më kujton këtë shprehje të madhnueshme të Hz.Muhammedit (a.s.), sikurse më sjell ndër mend ajetin kur’anor: “Po ju menduat se do të hyni në xhennet, pa u provuar edhe ju me shembullin e atyre që ishin para jush, të cilët i patën goditur skamjet e vuajtjet dhe qenë tronditur, saqë i dërguari thoshte, e me te edhe ata që kishin besuar: “Kur do të jetë ndihma e All-llahut”?! Ja (u erdhi ndihma) vërtetë ndihma e All-llahut është afër!”. – (El-Bekare: 214).

Sot, teksa i lutemi All-llahut të Madhëruar të mëshirojë shehidët e krimit barbar në Zelandën e Re, teksa ngushëllojmë qeverinë e atij vendi, familjarët, ymetin islam dhe njerëzimin mbarë, na del për detyrë në formë reflektimi me u kthy nga dera e besimit dhe feja e Tij! Na del për detyrë të ndjehemi krenar për udhëzimin në Islam, ndonëse tentakulat e të keqes përpiqen herë pas here të bëjnë rolin e shejtanit të mallkuar, duke i lënduar e mërzitur besimtarët!

Ne tashmë jemi në atmosferën e Muajve të Mirë, ku e kemi për detyrë të reflektojmë rreth kësaj feje të madhnueshme dhe të kthehemi me pendim të sinqertë nga All-llahu i Madhëruar, Zoti i gjithësisë! Kemi nevojë të bëjmë teube, për t’u kthyer nga e vërteta dhe për të ndjerë këtë fé në zemër, për ta ndjerë marrëdhënien me All-llahun e Madhëruar në jetën tonë të përditshme: “E mos u dobësoni (fizikisht) dhe mos u dëshpëroni (shpirtërisht) derisa ju jeni më të lartit, po qe se jeni besimtarë të sinqertë”! – (Ali Imran: 139).

Ti, si musliman, je përçues i Fjalës së All-llahut! Ti mban në zemër besimin se, nuk ka zot tjetër në këtë univers, përveç All-llahut! Ti je në hak! Dhe, ai që është në hak, nuk ndjehet kurrë i poshtëruar! Ai që është në hak, nuk ndjehet kurrë i vogël! Ai që është në hak, është përherë krenar, në legjitimitet të plotë, njëkohë që krenaria e tij e besimit e merr për dore për të ndërtuar dhe për të shpërndarë kudo të mirën që mbart me vete në zemër!

Prandaj kemi nevojë sot, të kthehemi nga All-llahu dhe të bëjmë teube, edhe nga disa mendime të mbrapshta, që na sillen në orbitën e mendjes, të përziera shpesh edhe me rrobën e fesë a të kapura pas disa gjoja teksteve fetare, për ta pastruar mendjen nga mendime që mbajnë peng zhvillimin e besimit dhe mendësisë islame në familje e shoqëri, kudo!
Është përhapur gjithandej se, shprehja “All-llahu ekber” është fjalëkalimi i shkatërrimit, i shpërthimit dhe i bombave; në fakt nuk është kështu!

Kemi nevojë të pendohemi tek Zoti i gjithësisë dhe të ndjejmë me zemër se, “All-llahu ekber” është fjalëkalimi që hap dyert e të mirës në jetë! Është fjalëkalimi i ndërtimit të urave në mesin e njerëzve! Është fjalëkalimi i çdo të mire në jetën e racës njerëzore, por jo vetëm! Se, po të ishte e kundërta, nuk do ta shihnim Resulull-llahun (a.s.) duke falur e toleruar në gjendje force e pushteti, kundërshtarët e tij të zënë rob lufte, ditën e madhe të çlirimit të Mekës!

Me “All-llahu ekber”, muslimanët kanë çliruar zemrat e verbuara të njerëzimit! Me “All-llahu ekber”, muslimanët kanë hapur dyert e mbyllura! Me “All-llahu ekber”, kanë ndërtuar qytetërime dhe kanë shëruar zemra! Për këtë, kemi nevojë të kthehemi nga “All-llahu ekber”, ta ndjejmë thellë në zemër thirrjen e Zotit, ta përqafojmë atë dhe të bëhemi përhapësit e saj, deri në frymën e fundit!

Të dashur besimtarë,

E kemi për detyrë të jetojmë me dinjitet! Ne jemi muslimanë! Jemi pasuesit e Hz. Muhammedit (a.s.) dhe nuk i takon pasuesve të tij të jetojnë në injorancë, në përçarje, të përbuzur e në varfëri! Nuk i takon, pasha All-llahun!

Me çfarë fytyre do t’i dalim nesër para duarve Resulull-llahut (a.s.), nëse nuk bëjmë teube! Si ta takojmë?

Prandaj, të dashurit e mi, kemi nevojë sot, më shumë se kurrë, të kthehemi nga All-llahu i Madhëruar, i Cili urdhëron në ajetin 31 të sures “En-Nur”: “Pendohuni të gjithë tek All-llahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim!”. Të gjithë, pa përjashtim, që të mos mendojë dikush se është i pagabueshëm dhe i panevojshëm për të kërkuar falje nga Zoti i tij!

Është koha të kthehemi që nga ky moment, nga Zoti i Mëshirëplotë, i Cili e ka krijuar çdo gjë në këtë gjithësi, për të mirën tonë! Përse t’ia kthejmë shpinën Krijuesit tonë? Tek kush të trokasim, nëse ia kthejmë shpinën All-llahut të Madhëruar?

Ma thoni një pikë orientimi në jetën tonë, më të dobishme dhe më të vlefshme sesa thirrja e All-llahut të Madhëruar; ta shohim se si është ajo thirrje?! Por, nuk ka! Nuk ka dhe nuk do të gjejë njeriu, sado që të lodhet e të shkojë djathtas e majtas, nuk do të gjejë si thirrja e All-llahut të Mëshirëplotë, të Cilin e madhëron çdo gjë në këtë univers!

Sado që themi: “All-llahu ekber”, ka ende shpresë për njerëzimin! Sepse ne nuk jemi misionarë të kijametit!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

(Nga hytbeja e xhumasë, më 15 mars 2019, në xhaminë e “Dy Vajzave”)