Myftiu: “Distancim nga përpjekjet për ta lënë vendin në regres!”

Paraditën e së dielës, më 28 prill 2019, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i shoqëruar edhe nga antarët e Këshillit të Myftinisë Shkodër, H. Fejzi Zaganjori dhe teologu Lavdrim Hamja, vizitoi drejtuesit e Kishës Ortodokse të Shkodrës, duke dhënë edhe mesazhin e tij me rastin e kësaj dite festive për besimtarët ortodoksë.

Gjatë bashkëbisedimit të ngrohtë me drejtuesit e lartë të Kishës Ortodokse të Shkodrës, At Aleksandër Petani dhe At Nikolla Petani, Myftiu vuri theksin te domosdoshmëria e ruajtjes dhe përhapjes së frymës së harmonisë fetare, që përkthehet në harmoni kombëtare dhe forcim të frymës së vëllazërisë në mesin e shqiptarëve.

Gjatë vizitës u ndanë mesazhe me vlerë në mesin e drejtuesve të komuniteteve fetare të Shkodrës, duke pasqyruar një ndër vlerat më të spikatura për të cilën ka nevojë njeriu i çdo kohe; harmonia dhe vullneti për të ecur përpara dorë për dore.

Në mesazhin e tij para mediave, ndër të tjera Myftiu tha: “Detyra dhe angazhimi i komuniteteve fetare është për të nxitur harmoninë, vëllazërinë, bashkëjetesën dhe bashkëpunimin në mesin e njerëzve.

Poashtu, nxitjen e distancimit në të gjitha format, nga të gjitha përpjekjet që bëhen për ta lënë vendin në regres dhe në prapambetje! Për t’u distancuar në të gjitha format nga të gjitha përpjekjet dhe propagandat që bëhen për të nxitur vllavrasje, urrejtje, ndasi në mesin e njerëzve!

Për t’u distancuar në të gjitha format nga krejt propagandat dhe angazhimet e axhendave të ndryshme që e duan vendin tonë të prapambetur!”