Për të mos harruar se kush jemi..!

Kohë më parë, i nderuari H. Fejzi Zaganjori, më pat kërkuar që në xhaminë e Rusit, të organizojmë një ceremoni në përkujtim të burrit të urtë, Mësuesit të heshtur të alfabetit të Kur’anit dhe leximit të tij, Haxhi Hilmi Hoxha, i cili u nda nga jeta më 3 maj 2015 dhe të xhumanë e kaluar u përkujtua me një dua-hatme në xhaminë e tij, ashtu si i takon të përkujtohen të dashurit që na mungojnë…

Pas asaj bisede me vlerë, u përfshiva nga dy ndjesi në vetvete, për të cilat nuk fola me bashkëbiseduesin tim, ndonëse doja të flisja…

Ndjesia e parë ishte ajo e dhimbjes për largimin nga jeta, njëri pas tjetrit, të burrave të moshuar, besimtarëve qytetarë shkodranë, që ishin protagonistë të frekuentimit të aktiviteteve islame në qytetin e Shkodrës, që në ditët e para të rimëkëmbjes, pas ikuizicionit komunist ndaj Islamit dhe muslimanëve në vendin tonë. (Një ndër ta ishte edhe i nderuari, Haxhi Hilmi Hoxha)

Natyrshëm, unë që i shkruaj këto rreshta, asokohe isha rreth të 15-ve dhe ndiqja me vëmendje lëvizjet e më të moshuarve, (duke nisur nga Gjyshi im, rahmet pastë), shihja përkushtimin e tyre, dëgjoja në heshtjen e nxënësit, bisedat e tyre me thelb fetar, tregimet plot pathos, historitë me pejgamberë e eulija, por jo vetëm…

Herë në bahçen e Gjyshit, herë në odën e tij, herë në faltoren e parë te shtëpia e Bajajve, më pas në Parrucë, pak më pak te xhamia e Plumbit a te ajo e Kirasit e në vazhdim…

Më kujtohen ca burra të vjetër, besimtarë në përkushtim, si: Zotni Fadili, (nuk më kujtohet mbiemri i tij, që ndoshta, kurrë se kam ditur se si e kishte), një burrë i hajthëm, gjatosh e me një karizëm karakteristike shkodrane, që shpesh, kur ngrihesha në këmbë për të kënduar ezanin në faltoren e Parrucës, teksa më jepte zemër dhe përpiqej të më largonte emocionet e rastit, më drejtohej: “Kndo Sulltan, mos ki gajle, bani tanë gur vorresh!”…

Haxhi Gani Balesi, (gjyshi i një shoku të fëmijërisë), me fesin e tij të bardhë e të gjatë karakteristik, një burrë zoganjor, që e kishim edhe komshi në Parrucë. Zotni Ramazani, një burrë i urtë, i moshuar, gjithmonë i qeshur, me tespih në dorë e gojën që i lëvizte në heshtje, teksa bënte dhikër… (Ai kishte marrë pjesë edhe në ceremoninë e 16 nëntorit të famshëm të rihapjes së madhe të Xhamisë së Plumbit në vitin 1990. E shoh teksa falë të xhumanë e parë, diku në filmimin e asaj ceremonie madhështore).

Gjysh Ramazani, që e kishim komshi përballë shtëpisë së Gjyshit tim, që vetëm lexonte “Jasini Sherifin” dhe me zërin e tij të ëmbël e të butë, ngjante sikur nuk i përkiste botës së jashtme, të përzier me turlitakam mendimesh, intrigash, dallaveresh e hipokrizishë me veshje ateiste e afetare…

H. Halit Mertoshi, një Hoxhë i veshur me xhybe e çallmë, që përherë e kam dashur dhe më ka dashur. Sa herë e takoja kisha dëshirë ta përqafoja e të merrja bekimet e tij, që përziheshin me buzëqeshjet e tij tipike dhe urimet, që më bëhet se i dëgjoj akoma horizonteve…

Hafiz Mani i Dudasit, një burrë i paqtë, që fliste me heshtje, aq sa nuk shprehej me fjalë, teksa rrezatonte bardhësinë e besës së dijes së bartur në thellësitë e qenies së tij, sidomos në vitet e errëta të persekutimit ateist…

Haxhi Emin Sheqi, Haxhi Faik Zaganjori, Haxhi Syla, Haxhi Xhoda, Haxhi Shabani, Haxhi Eljazi e shumë e shumë të nderuar të tjerë, që nuk e linin faltoren e Parrucës dhe nuk ndaheshin nga Myftiu i asaj kohe, Zotni Faik Hoxha…

Në mesin e tyre, ndoshta më i heshturi ndër ta, ishte edhe i urti Haxhi Hilmi Qazim Hoxha… Përherë, në një cep të xhamisë duke i mësuar dikujt leximin e Kur’anit… Sa e sa të rinj e të reja, të moshuar e jo vetëm, kanë mësuar të lexojnë Kur’an prej atij burri të nderuar, që përherë më sillte ndër mend imazhin e babës së tij, që asnjëherë s’e kisha njohur, për shkak të kohës së largët të ndarjes së tij nga kjo botë, dekada para se të vija në jetë, por që përherë e kam lexuar dhe e lexoj me vëmendje plr erudicionin e tij të spikatur në tefsirin e Kur’anit…

Ndjesia e dytë, ishte dhe vazhdon të jetë ajo e falënderimit dhe mirënjohjes ndaj veprimit të H. Fejzi Zaganjorit; nxitjen e organizimit të aktiviteteve përkujtimore në hak të burrave të nderuar besimtarë, që sot nuk janë më në mesin tonë.

Kohë më parë, në xhaminë e Rusit është përkujtuar edhe i nderuari Haxhi Hamza Cungu, muezini dhe besimtari i përkushtuar, që rrezatonte dashninë e imamëve dhe hoxhallarëve të rinisë së tij, si: Haxhi Muhamed Kastrati, Haxhi Muhamed Bekteshi, Sheh Qazim Hoxha, etj… E kam të gjallë intervistën që i kam bërë zotnisë tij në xhaminë e Rusit, teksa flet me ëmbëlsinë e zërit të tij për hoxhallarët e lartpërmendur, por jo vetëm.

Realisht, ne i jemi borxhli të shkuarve, shembullit të tyre, imazhit prej besimtarësh seriozë e korrektë me fenë e besimin, me qytetarinë dhe kodet e etikës islame dhe asaj kombëtare…

Në fakt, ne si muslimanë jemi të ftuar sot, të mos neglizhojmë historinë tonë, që formëzohet nga gurra e shpirtit të këtyre burrave të urtë, që janë breza garancie për ruajtjen e shpirit të traditës dhe kultivimin e nuancave të identitetit tonë fetaro-kombëtar.

Imamët tanë, myftilerët tanë, hatibët dhe vaizët tanë, (në veçanti), duhet të punojnë shumë për gjurmimin e tabanit qytetar islam shqiptar, për ruajtjen e shpirtit të traditës, për edukimin e brezit të ri në gjurmët e identitetit të baballarëve dhe gjyshërve të përkushtuar muslimanë, për nderimin e të shkuarve, për përkujtimin e tyre herë pas here, si për t’i përkujtuar vetes se kush jemi realisht, se kush janë të parët tanë, se kush duhet të jenë fëmijët tanë! Për të mos harruar se kush jemi..!

Imam Muhamed B. Sytari

Shkodër, më 6 maj 2019

(E rishikuar, nga publikimi origjinal, 3 vite më parë)