Rinia frekuentuese në rritje e xhamive të Shkodrës

Me fillimin e Ramazanit të sivjetshëm, në të gjitha xhamitë e Shkodrës po vihet re prania përherë në rritje e të rinjve që prezantojnë në faljen e namazeve ditore, si dhe për namazin e teravisë.

Edhe ditën e xhuma të parë të këtij Ramazani, më 10 maj 2019, në xhamitë kryesore të Shkodrës u vu re prania e të rinjve të shumtë shkodranë, që po e gjejnë veten në mësimet dhe udhëzimet e minbereve tona.

Është për t’u përmendur edhe nisma e re e Myftinisë Shkodër për qarkullimin e imamëve dhe hatibëve të xhumasë në xhami të ndryshme, gjë që krijon larmi dhe gjallëri në xhamitë e shumta të Shkodrës.

Sipas programit të afishuar më parë, në të gjitha xhamitë e Shkodrës, ditën e sotme u mbajtën hytbe, në thelbin e të cilave ishte vlera dhe dobitë e agjërimit, vlera e lutjes, e pendimit, begatia e adhurimit, kthimi nga udhëzimi islam, etj.