“Të ndihmosh personat me aftësi të kufizuar është amanet”

Ditën e enjte, më 23 maj 2019, në kuadër të veprimtarive bamirëse që shoqërojnë Muajin e begatë të Ramazanit, Myftinia Shkodër ka vazhduar të shpërndajnë ndihma për personat me aftësi të kufizuar, duke iu përgjigjur thirrjes së drejtuesve të shoqatës “Në ndihmë të personave me aftësi të kufizuar mendore”, dega Shkodër.

Përfaqësuesi i Myftinisë, z. Lavdrim Hamja, me këtë rast tha: Këto ndihma janë dhuratë nga Qendra Humanitare “Mbreti Selman” në Arabinë Saudite në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, ku në të gjithë Shqipërinë janë shpërndarë 7300 pako ushqimore.

Z. Hamja ndër të tjera tha, se: Ne ua kemi borxh këtyre personave dhe këta vëllezër dhe motra janë amanet dhe ne duhet ta kryejmë këtë amanet!

Ai shtoi se, institucionet përgjegjëse shtetërore dhe lokale duhet të bëjnë më shumë për këta njerëz, duke bërë detyrën që u takon dhe t’u sigurojnë atyre kushte më të mira dhe t’ua plotësojnë nevojat që kanë. Gjithashtu, ai u bëri thirrje edhe biznesmenëve, por jo vetëm, që edhe ata të kontribuojnë për shtresat e varfra dhe njerëzit në nevojë dhe të japin prej mirësive dhe begative që Zoti u ka dhënë.

Në emër të shoqatës, foli sekretarja znj. Vitore Toma, e cila falënderoi Myftininë Shkodër, që iu përgjigj kërkesës së tyre, duke shpërndarë ndihma për anëtarët e kësaj shoqata.