U promovua libri me 40 hadithe mbi vlerën e Kur’anit

Ditën e hënë, më 20 qershor 2016, Myftinia Shkodër organizoi një Mbrëmje Fetare, në thelb të së cilës ishte promovimi i botimit më të ri me titull: “40 hadithe rreth mirësisë së Kur’anit”, nga autori Ahmed El-Ankarij, përkthyer në shqip nga teologu Lavdrim Hamja, imam i xhamisë së “Dy Vajzave”.

Aktiviteti u hap me fjalën e rastit nga teologu Arben Arben Halluni, i cili vlerësoi kontributin e teologut Lavdrim Hamja dhe theksoi se Muaji i Ramazanit është momenti më i përshtatshëm për daljen në shqip të këtij botimi mbi vlerën e Kur’anit.

Një ligjëratë me temë: “Rëndësia e të jetuarit me Kur’an në jetën e muslimanit”, u mbajt nga Imam Muhamed B. Sytari, Myfti i Shkodrës.

Ndër të tjera, Myftiu theksoi se: “muslimani që e vlerëson Fjalën e Zotit në jetë, jeton paqësisht me Zotin, me veten, me tjetrin, (kushdo qoftë tjetri). Këtë model muslimani e karakterizon humanizmi, mëshira, dinjiteti, krenaria, pastërtia, adhurimi, drejtësia, nderi!

Për këtë, thotë në Kur’anin Famëlartë: “Atyre, të cilëve u dhamë librin dhe të cilët e lexojnë drejtë ashtu si është, ata e besojnë atë (Kur’anin). E ata që e mohojnë atë, të tillët janë ata që dështuan (në dynja e në ahiret).” – (Kur’ani, El-Bekare: 121)

Leximi i drejtë nuk nënkupton texhvidin, idgamin e idhharin e tij, por praktikimin e tij në jetë. Sepse, kur e lexon si duhet recetën e mjekut, vrapon të blesh ilaçet. Por, nëse e lexon recetën me gjuhë letrare, madje paguan edhe një aktor për ta recituar dhe interpretuar atë, por pa i marrë ilaçet, as shërohesh, as konsiderohesh njeri normal në veprimin tënd!”

Ndërkohë, përkthyesi i librit, teologu Lavdrim Hamja, në fjalën e tij, theksoi se shtysa kryesore që e ka nxitur të shërbejë këtë punë është dëshira e madhe që njerëzit të kuptojnë madhështinë e Kur’anit, rëndësinë e mësimit të tij dhe përhapjes së vlerave të tij kudo.

Ai tha se realitetet e sotme po na imponojnë përherë e më shumë angazhimin e vazhdueshëm për t’i shërbyer Fjalës së All-llahut dhe mësimeve të Tij.

Për të pranishmit u shtrua edhe iftari inkësaj dite Ramazani, sikurse u dhurua libri i ri me 40 hadithe mbi mirësinë e Kur’anit Famëlartë.