Xhamia “Ebu Bekër”, dëshmitare e një takimi të begatë ndërfetar

Ditën e martë, më 19 nëntor 2019, në ditën e dytë të Konferencës Ndërkombëtare me temë: “Feja si një instrument për paqen”, organizuar nga Presidenti i Shqipërisë në bashkëpunim me Departamentin e Shtetit të SHBA, pjesëmarrës nga Ballkani Perëndimor, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vizituan edhe tre komunitetet fetare të Shkodrës.

Gjatë vizitës në xhaminë “Ebu Bekër”, delegacioni u prit nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili pasi uroi mirëseardhjen, vuri theksin te vlera e harmonisë ndërfetare dhe shembullin e Shkodrës në këtë drejtim.

Ai solli në vëmendje të vizitorëve rastin, kur i Dërguari i All-llahut, Hz. Muhammedi (a.s.) priti një delegacion të madh të krishterësh, me të cilët dialogoi dhe dëshmoi madhështinë e fesë në ndërtimin e urave të komunikimit në mesin e njerëzve.

Myftiu vlerësoi se detyra e prijësve të urtë fetarë është që ta ruajnë fenë të paprekur nga leximet e ngutura, nga interpretimet e ngurta dhe përdorimi i saj për çfarë nuk është shpallur nga Zoti i gjithësisë.

Duke shtrënguar duart me të pranishmit, përfaqësues të lartë të komuniteteve fetare në vend, ambasadorë, studiues dhe oganizatorë, Myftiu u lut për shtimin e harmonisë dhe vëllazërisë në mesin e besimtarëve, si dhe për shtimin e bashkëpunimit që njeriu të jetojë më harmoni e paqe me vëllanë e tij njeri.