Edhe jomuslimanët i presim me bukë e besë!

Sa madhështor është ajeti 8 i sures El-Insan: “Ata janë që për hir të Tij u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe të zënëve robër”. Mendo për pak dhe kupto se Islami e ka bërë mirësinë ndaj armikut (lexo: të zënëve robër më luftë), rrugë drejt xhennetit! Por, drejt xhennetit nuk shkohet pa zemër të pastër, që do të thotë se këtë mirësi ndaj tyre, All-llahu ia ka kërkuar që ta bëjnë me zemër të pastër e nijet të sinqertë!

Dhe këtë e vërteton ajeti pasues: “Ne po ju ushqejmë vetëm për hir të All-llahut dhe prej jush nuk kërkojmë ndonjë shpërblim e as falënderim!”. Pra, çdo mirësi në këtë kontekst bazohet mbi sinqeritetin e nijetin e pastër, si dhe mos interesimin për të pritur shpërblim a falënderim për karshi kësaj mirësie!

Pra, me dhanë dhe mos me pritë! Me e ushqy armikun me bukë dhe mos me pritë as edhe një falënderim prej tij! Kjo është prej madhështisë së shfaqjes së muslimanit hak!

Dëgjova në një inçizim të regjistruar me pamje e zë, deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Gueterres, ku thotë: “Kur isha në postin e Negociatorit të Lartë për Çështjet e Refugjatëve, pashë bujarinë e shteteve islame, të cilat hapën kufijtë e tyre për njerëzit e sprovuar, në një botë, ku për fat të keq, shumë kufij janë mbyllur!

Kjo përputhet edhe me atë, që e konsideroj si përshkrimi më i bukur që është thënë në lidhje me mbrojtjen e refugjatëve në historinë e njerëzimit.

Ajo që thuhet në suren “Teube”, ajeti 6, në Kur’anin e Shenjtë: “E nëse ndokush prej idhujtarëve të kërkon strehim, ti strehoje në mënyrë që t’i dëgjojë fjalët e All-llahut (Kur’anin), e mandej përcille deri në vendin e tij të sigurt. Këtë, ngase ata janë popull që nuk e di (të vërtetën e fesë islame)”

Ky ajet iu shpall të Dërguarit, paqja qoftë mbi të, para 14 shekujsh, para se të shpallej Konventa për Mbrojtjen e Refugjatëve në vitin 1951!..”

A nuk kuptojmë nga ajeti i përmendur në fjalën e z. Gueterres, mashështinë e Islamit në mbrojtjen e tjetrit, edhe mushrik e idhujtar qoftë, që të shohë ndër ne modelin e Islamit në bujari, mirësi e humanizëm, pastaj ta përcjellim duke u kujdesur për sigurinë dhe mbrojtjen e tij deri në kufijtë e mundësisë?

Pra, ne e presim edhe idhujtarin e të huajin me zemër të hapur e me bukë, duke mos i imponuar fenë! Islami është dritë në zemër, jo shpatë mbi kokë!

Nëse në ajetin e sures El-Insan, mësuam se edhe armikut (të zënëve robër) i japim bukë me zemër, në ajetin e sures Et-Teube, mësojmë se edhe jomuslimanët i presim me bukë e besë, me zemër të pastër e të hapur dhe nuk ia imponojmë fenë askujt!

Nga: Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

(Nga dersi i sabahut, më 14 janar 2020, në xhaminë e Parrucës)