Vetëm All-llahu mund të ta falë gabimin!

“Tregon Ali ibn Rebia: Më mori me vete Ali ibn Ebi Talibi (r.a) dhe ecëm deri në një vend të caktuar, ku ngriti kokën e tij nga qielli dhe tha:

“O Zot m’i fal gjynahet e mia, përveç Teje askush nuk i fal gjynahet.” Pastaj u kthye nga unë dhe qeshi. I thashë: O prijës i besimtarëve, i kërkove falje Zotit tënd dhe u solle nga unë duke qeshur?

Tha: Një herë, më mori Resulull-llahu me vete dhe ecëm deri në këtë vend, ku ngriti kokën nga qielli dhe tha: “O Zot m’i fal gjynahet e mia, përveç Teje askush nuk i fal gjynahet.”

Pastaj u kthye nga unë dhe qeshi. I thashë: O i dërguar i All-llahut, i kërkove falje Zotit tënd dhe u solle nga unë duke qeshur?

Tha: “Qesha nga e qeshura e Zotit tim, nga habia e Tij për robin e Tij, i cili e di se askush nuk i fal gjynahet përveç Tij!”

Pra, ka shumë rëndësi të dijmë dhe të kuptojmë se gabimet a rrëshqitjet e ndryshme që bëjmë në jetë, nuk ka njeri, melek a xhin në botë që të na i falë, përveç Krijuesit të gjithësisë!

Njeriu nuk ia fal njeriut gabimet e gjynahet! Njeriu ia bën hallall tjetrit dhe ia fal gabimin në hak të tij, por nuk ka aftësi dhe mundësi të falë gjynahun, të fshijë gjurmën dhe të keqen e tij, për të cilën njeriu mund të pendohet, për të mos e përsëritur më!

Sepse njeriu është i kufizuar, është i vogël, është i dobët! As profetët nuk kanë aftësinë dhe mundësinë e faljes së gabimeve a gjynaheve të krijesave të Zotit! Absolutisht, jo!

As sahabët, as tabiinët, as dijetarët e mëdhenj, as myftilerët, as Shejkhul-Islamët, askush në botë! Kurrësesi! Nuk ka logjikë, nuk ka kuptim!

Prandaj, të kuptosh se vetëm Zoti i gjithësisë mund të ta falë gabimin dhe të ta ndreqë zemrën, ta udhëzojë mendjen dhe ta drejtojë moralin tënd, është një gradë e lartë besimi, që jo kushdo e ka rizk!”

Nga: Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër