Myftiu i Shkodrës i ftuar në emisionin “Autochthonous”, në Tv Rozafa

Mbrëmjen e së martës, më 11 shkurt 2020, Imam Muhamed B. Sytari, Myfti i Zonës Shkodër, ishte i ftuar i gazetarit Simon Shkreli në emisionin “Autochthonous” në Tv Rozafa.

Gjatë një bashkëbisedimi të gjatë, që u realizua në ambientet e xhamisë së Medresesë, Myftiu i Shkodrës u ndal fillimisht në çështjen e besimit dhe të lirisë, duke marrë shkas nga viti jubilar 2020, që përkon me 30-të vjetorin e rikthimit të shpresës dhe lirisë së besimit në vendin tonë dhe zhvillimit të ceremonive të para masive fetare, të cilat kulmuan me faljen e namazit të xhumasë së madhe, më 16 nëntor 1990.

Myftiu theksoi se fryma e besimit dhe e virtyteve të tij, është ajo që duhet të bashkëpunojmë të gjithë së bashku sot, për ta përhapur me sa të kemi mundësi, në mënyrë që lajmet e frikshme të përhapjes së krimit, drogës, shtimit të aborteve, përhapjes në masë të dhënies së borxheve me fajde, etj., të mos kthehen në lajme të përditshme që e bëjnë të zymtë jetën në vendin tonë.

Myftiu theksoi se duke u kapur si duhet pas fesë dhe moralit të saj, natyrshëm që edhe e keqja me krejt tentakulat e saj do të zvogëlohet e do të zhduket nga realitetet e vendit e mbarë njerëzimit.

Myftiu i Shkodrës foli edhe për dinjitetin njerëzor dhe përhapjen e moralit të fesë jashtë xhamisë, për vakëfet e shumta dhe rrugëtimin e gjatë të këtyre tre dekadave, ku janë bërë përpjekje të shumta për të kthyer në identitet atë që është e Myftinisë Shkodër prej pronave të shumta.

Ai tha se tani, bota islame po përjeton një moment të rizgjimit të elitave myslimane në botë, që do të thotë se ekuilibrat e botës po ndryshojnë, duke shkuar drejt shërimit nga padrejtësitë, luftërat, shkelja e të drejtave të njeriut, etj.

Në fund, Myftiu tha se është moment, kur njerëzit me vullnet të mirë dhe besimtarë të zgjasin duart e tyre për t’u lidhur me njëra-tjetrën, në mënyrë që të ruhet zinxhiri i vlerave dhe moralit të besimit në realitetet tona shqiptare dhe njerëzore.