MESAZHI I MYFTIUT TË SHKODRËS ME RASTIN E FITËR BAJRAMIT 1437/2016

Të dashur dhe të nderuar vëllezër dhe motra besimtarë,

Është mirësi e madhe nga Mëshirëploti All-llah, i Cili na dha mbarësi ta agjërojmë Ramazanin e këtij viti në mënyrë masive, duke dëshmuar plot dinjitet e krenari rrugëtimet tona drejt përsosmërisë shpirtërore dhe shfaqjes, përherë e më shumë si muslimanë, të lidhur fort pas mësimeve dhe udhëzimeve të Kur’anit Famëlartë dhe traditave të Hz. Muhammedit (a.s).

Gjatë këtij Muaji dëshmuam bashkarisht një rritje cilësore drejt adhurimeve të sinqerta, që burojnë nga paqja e shpirtit, mëshira e zemrës dhe urtësia e mendjes, të lidhura e të nënshtruara para vullnetit të All-llahut Mëshirëbërës, për të përfituar secili prej nesh mëshirën, faljen dhe bekimet e Tij në jetën tonë kalimtare dhe në të përtejmen e përjetshme.

Tashmë, dita e martë, më 5 korrik 2016, është e para e ditëve të Fitër Bajramit, festës së madhe, në të cilën gëzojmë së bashku, duke dhuruar mëshirë e dashuri për krejt krijesat e Zotit, veçanërisht në mesin e muslimanëve, të thirrur për ta ndërtuar jetën me Dritën e udhëzimit hyjnor.

Bajrami i vërtetë është atëherë, kur vendi ynë jeton në mirëqenie, në siguri, në paqe e harmoni, në moral e dije, në kulturë të shëndoshë e politika ndërtuese për shoqërinë dhe kombin, në vlera tabani dhe krenari identitare, që na bëjnë të ndjehemi krenar me vendin tonë, me tokën tonë, me emrin Shqipëri, kudo që jemi e me këdo që të jemi!

Bajrami i vërtetë është paqtimi i zemrave dhe pastrimi i realiteteve tona shqiptare nga hilet, nga pabesitë, nga shthurja morale, intelektuale dhe politike, nga prapambetja shkencore dhe varfëria ekstreme, nga skamja dhe padrejtësitë, nga tentativat e ulëta për të abuzuar me fenë, mesazhet hyjnore dhe identitetin real të besimit tek shqiptarët!

Të dashur vëllezër të shtrenjtë muslimanë,

Jetojeni Islamin tuaj me krenari, dëshmojeni kudo shpirtin e tij, me bindje e forcë karakteri, me ndërgjegje të pastër, me mëshirë për krejt krijesat e Zotit, i Cili e dërgoi të fundin e profetëve të Tij, “mëshirë për mbarë botët”!

Ju, të shtrenjtë vëllezër muslimanë, jeni mëshirë e dhuruar, jeni paqtim garant në shoqëri, jeni mbrojtës të vlerave të tolerancës dhe dëbues me përbuzje të cinizmit mesjetar, që vret, djeg e dhunon me maskën e pabesisë mbi fytyrën katran!

Shfaqeni kudo gëzimin e Fitër Bajramit, ndajeni mirësinë në mes vete, dëbojeni shejtanin nga jeta dhe forcojeni lidhjen me All-llahun Fuqiplotë, që na nxori nga errësira në dritë, nga injoranca në dije, nga humbja në triumf, duke e bekuar jetën tonë me këtë Islam të mrekullueshëm!

All-llahu e begatoftë Shkodrën, Shqipërinë dhe mbarë trojet shqiptare!
Gëzuar Fitër Bajramin mbarë ymmetit islam!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 4 korrik 2016