Myftiu: “Të punojmë për ruajtjen e tabanit dhe gjallërimin e xhamive me mexhlise dhikri!”

Myftiu: "Të punojmë për ruajtjen e tabanit dhe gjallërimin e xhamive me mexhlise dhikri!"

Myftiu: “Të punojmë për ruajtjen e tabanit dhe gjallërimin e xhamive me mexhlise dhikri!”

Ditën e xhuma, më 3 korrik 2026, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, në vazhdën e ciklit të ligjëratave: “Sahabët e mi, janë si yjet”, ligjëroi para besimtarëve të pranishëm në Qendrën Kulturore pranë xhamisë në Mes-Myselim.

Në thelb të ligjëratë së Myftiut ishin shembuj të shumtë nga jeta dhe gjurmët e sahabëve të Resulullahut (alejhis-selam), të cilët kishin një përkushtim të jashtëzakonshëm në lidhje me mexhliset e dhikrit, drejt të cilëve ftonin njëri-tjetrin.

Gjatë fjalës së tij, Myftiu vuri theksin tek rëndësia që ka ruajtja e tabanit të shëndoshë islam në xhamitë dhe realitetet tona shoqërore, duke u përqendruar tek domosdoshmëria e gjallërimit të jetës fetare në xhamitë tona nëpërmjet organizimit të mexhliseve të dhikrit, përkujtimit të datave dhe ditëve të shënuara që na ofrojnë me kuptimet dhe shpirtin që ato përcjellin ndër breza.

Poashtu, Myftiu u përqendrua edhe tek rëndësia që ka shpirti i thjeshtësisë dhe i dashamirësisë ndaj kujtdo që troket në dyert e xhamive tona, ku tha se askush nuk ka të drejtë t’i mbyll derën e shtëpisë së Zotit dikujt prej krijesave të Tij.

Në këtë kontekst, ai solli në vëmendje shembullin e fjalës së madhe të Hz. Hudhejfe ibnul-Jeman (r.a), i cili i mësonte bashkëkohësve të tij rëndësinë e madhe të fjalës ‘La ilahe il-lallah’, si shpëtimtare e njerëzve nesër në ditën e gjykimit.

Ligjërata e Myftiut u pasua nga një bashkëbisedim shumë i përzemërt me të pranishmit që i drejtuan atij pyetje të ndryshme, duke i shtuar këtij mexhlisi mirësi dhe bekim.

Me përfundimin e tij, nën drejtimin e Myftiut u krye edhe falja e namazit të akshamit në xhaminë e Mes-Myselimit.

Me këtë rast, Myftiu falënderoi imamin, H. Fatmir Sulaj dhe këshillin  e xhamisë dhe krejt të pranishmit për mikpritjen dhe dashamirësinë.