Myftiu zhvilloi një vizitë zyrtare në Dibër të Madhe

Me ftesë të Myftiut të Dibrës së Madhe, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Reshat ef. Kaçallniku, ditën e xhuma, më 29 janar 2021, Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një vizitë zyrtare në Dibër të Madhe.

Në program të kësaj vizite ishte takimi me Myftiun dhe stafin e tij, ku të dy myftilerët diskutuan për vlerat e besimit në ruajtjen e identitetit dhe traditave të shëndosha islame në trevat shqiptare, si dhe rolin e imamëve dhe hoxhallarëve tanë përgjatë shekujve në këtë drejtim.

Myftilerët e nderuar diskutuan edhe për sfidat e ndryshme me të cilat përballen bashkësitë e muslimanëve në këto troje, si dhe domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit institucional, me qëllim rritjen dhe forcimin e ndikimit të Thirrjes Islame, sidomos tek rinia.

Gjatë vizitës në Dibër të Madhe, Myftiu Sytari u prit edhe nga Kryetari i Komunës, z. Hekuran Duka, me të cilin zhvilloi një bashkëbisedim të ngrohtë e vëllazëror mbi vlerat e besimit, shërbimeve ndaj shoqërisë, ruajtjes së vlerave tona identitare dhe rrugëtimeve drejt më të mirës për shoqërinë dhe mbarë njerëzimin.

Myftiu i Shkodrës, ishte i ftuar edhe për të ligjëruar nga Xhamia e Sahat Kullës, ku iu drejtua besimtarëve të shumtë, kryesisht të rinj në moshë, me fjalë zemre dhe këshilla të dobishme, që u përmbyllën me një lutje që Zoti i gjithësisë të bashkojë zemrat e besimtarëve dhe të dëshmojmë rimëkëmbjen e madhe të ymetit islam.

Në hytben e xhumasë, Myftiu i Shkodrës iu drejtua besimtarëve dibranë, duke vënë theksin tek rëndësia që ka të kapurit pas thelbit të besimit dhe fesë në jetë, dëshmimit të vlerave islame në jetën e përditshme dhe mosmbylljen e dyerve të fetarizmit të shëndoshë vetëm brenda mureve të xhamisë.

Në program ishte edhe vizita në xhaminë shekullore të Hynqarit, si dhe në vendin, ku është planifikuar të ndërtohet kulla e Spasit.