Nata e Kadrit, lutje e posaçme për Palestinën martire

Në kuadër të aktiviteteve dhe adhurimeve të Natës së Kadrit, Myftinia Shkodër ka udhëzuar dhe fton besimtarët që lutjet e këtyre ditëve dhe netëve të begata të jenë edhe për Palestinën martire dhe qëndrestarët besnikë të shenjtërive të mbarë ymetit!

Ditën e djeshme, më 8 maj 2021, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i përkushtoi një lutje të veçantë vëllezërve tanë në Palestinë e Kudsi Sherifë, që në këto netë të shenjta, po përballen me arrogancën dhe mizoritë e makinerive të dhunës dhe terrorit, që ushtrohen në mënyrë sistematike ndaj atij populli dhe shenjtërive prej dekadash.

Lutje për Palestinën dhe Kudsi Sherifin u bënë edhe gjatë natës, ku besimtarët iu drejtuan Allahut të Madhëruar që paqja dhe drejtësia të mbulojë atë vend dhe mbarë botën, sikurse u lutën për mirëqenien e mbarë muslimanëve të botës dhe rizgjimin e tyre për t’u kthyer tek lavdia e shekujve dhe krenaria legjitime!