Paraditën e së enjtes, më 13 janar 2022, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, takoi imamët e Myftinisë Shkodër, me të cilët diskutoi për imazhin e imamit dhe misionin që ai mban mbi supe.
Myftiu theksoi se imami është pikë referimi në shoqëri dhe duhet të përpiqet me të gjitha mundësitë e tij për të ruajtur këtë pozitë të lartë dhe përgjegjësitë e tij.
Takimi, që është i pari në prag të Tre Muajve të Mirë 1443, u kurorëzua edhe me dhuratën e çmuar për imamët e Myftinisë Shkodër, ardhur nga Zyra e Këshilltarit për Çështjet Fetare në Ambasadën e Turqisë, në Tiranë.
Myftiu falënderoi atasheun Bekir Yanılmaz, që falë bashkëpunimit të vazhdueshëm u arrit pajisja e krejt imamëve me kostumin e ceremonive fetare.
Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe koordinatori i Zyrës së Çështjeve Fetare në Ambasadën e Turqisë, z. Ömer Baloğlu, i cili shprehu kënaqësinë e tij për këtë takim dhe gatishmërinë për vijimësinë e bashkëpunimeve të dobishme në shërbim të komunitetit.