Ditën e mërkurë, më 24 gusht 2016, Myftinia Shkodër nisi trajnimin e grupit prej 37 vetave nga qyteti i Shkodrës, që janë regjistruar për haxhin e këtij viti.
Sikurse edhe vitet e tjera, edhe këtë vit, të regjistruarve për kryerjen e haxhit, u mundësohet një trajnim profesional, ku të gjithë marrin mësimet e duhura për kryerjen e saktë të ritualeve të haxhit.
Në takimin e parë, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, pasi uroi të pranishmit për mirësinë e madhe të Zotit ndaj tyre, regjistrimin për të shkuar këtë vit drejt vendeve të shenjta për kryerjen e haxhit, tha se kjo mirësi e madhe duhet shfrytëzuar si një mundësi paqtimi dhe afrimi me Zotin, si dhe si një bekim nga Zoti i gjithësisë për gjithësecilin prej tyre.
Myftiu i informoi të regjistruarit, se murshid i grupit të tyre për këtë vit do të jetë teologu Ruzhdi Plangaj, si dhe teologia Ferzet Ndoja, që do të jetë në ndihmë të motrave të pranishme në grupin e Shkodrës.
Në ditën e parë, dy murshidët e grupit zhvilluan mësimet dhe udhëzimet e para që lidhen me kryerjen e haxhit, rregullat e tij, ndalesat, gjërat e pëlqyeshme, lutjet dhe dhikret etj.
Trajnimi do të vazhdojë për tre ditë dhe në përfundim të tij, pritet të zhvillohet edhe ceremonia e përvitshme e përshëndetjes me haxhilerët e këtij viti, ku besimtarët mblidhen për të uruar pjestarët e grupit të Shkodrës dhe për të kërkuar prej tyre lutje në vendet e shenjta, në Mekë dhe Medine.