Ditën e xhuma, më 2 shtator 2016, në prani të qindra besimtarëve, në xhaminë e Parrucës u zhvillua ceremonia e përcjelljes së haxhilerëve të Shkodrës për vitin 1437/2016.
Ceremonia u hap nga teologu Arben Halluni, i cili i uroi mirëseardhjen haxhilerëve të këtij viti, familjarëve të tyre, që kishin ardhur për t’i përcjellë dhe gjithë besimtarëve të pranishëm.
Më pas e mori fjalën Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, i cili me këtë rast përshëndeti haxhilerët dhe në këtë fjalë përshëndetëse, ndër të tjera tha: “Ju Haxhilerë të shtrenjtë jeni delegatë të Allahut dhe miqtë e Tij. Allahu i Madhëruar ju ka zgjedhur të jeni përfaqësuesit e këtij qyteti për këtë vit drejt vendit më të shenjtë të botës, Qabes së Madhnueshme, prandaj mos e harroni në duatë tuaja, vendin, vëllezërit e motrat dhe gjithë besimtarët e qytetarët, duke ju lutur All-llahut për mbarësi e begati”.
Pastaj, Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj, me këtë rast mbajti një këshillë të vlefshme për haxhilerët e Shkodrës dhe të Malësisë së Madhe. Ai ndër të tjera theksoi se haxhiu, që ka bërë nijet të kryejë obligimin e haxhit duhet të ketë parasysh që nijeti i tij të jetë i pastër, vetëm për hir të Allahut, të shlyejë çdo detyrim moral e material, që mund të ketë ndaj ndonjë personi, qoftë i afërt, apo i largët dhe të shfrytëzojë në maksimum kohën gjatë ditëve të qëndrimit në haxh, qoftë gjatë kryerjes së riteve të haxhit, por edhe gjatë vizitave të ndryshme të vendeve të tjera të shenjta, si në Medinën e Resulull-llahut, në Uhud, në xhaminë Kuba etj.
Pas fjalës së dy myftilerëve, u bë shpërndarja e pasaportave dhe iharameve, si dhe e literaturës ndihmëse për haxhilerët, në mënyrë që t’u ndihmojë në lehtësimin dhe kryerjen sa më mirë të riteve të haxhit. Me emocione të shumta u lexuan emrat e të gjithë haxhilerëve të këtij viti, duke marrë në dorë ihramin, veshjen tradicionale të haxhiut, e cila do t’i shoqërojë gjatë kryerjes së riteve të haxhit.
Me hyrjen e kohës së ezanit, u bë thirrja e tij për namazin e xhumasë dhe hytben e kësaj dite e mbajti Myftiu i Shkodërs, Imam Muhamed Sytari. Myftiu foli për rëndësinë e përgjigjes së thirrjes së All-llahut për të kryer obligimin e haxhit, thirrje e cila u bë nga i dërguari i All-llahut, Ibrahimi (a.s). ndër të tjera, Imam Sytari këshilloi haxhilerët, që të mos harrojnë të luten për vendin e tyre, sidomos në këtë periudhë të vështirë, ku janë përhapur islamofobia, ateizmi, shthurja morale, padrejtësia e të tjera vese. Ai u lut për haxhilerët dhe gjithë besimtarët, që Allahu t’i përfshijë në mëshirën dhe faljen e Tij të përgjithshme.
Pasi u fal namazi i xhumasë, menjëherë u bë përshëndetja me haxhilerët dhe nisja e tyre për në aeroport, të shoqëruar nën zërin e telbijeve “Lebbejkell-llahumme lebbejk.”
Këtë vit u nisën 44 haxhilerë, 38 nga Shkodra dhe 6 nga Malësia e Madhe. Për haxh këtë vit u nis edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, i cili do të jetë bedel për një plakë të fisnike shkodrane, e cila kishte kërkuar më parë që haxhin e saj, ta kryente Myftiu i Shkodrës.
Haxhilerët e Shkodrës do të kenë si murshid (udhëzues) teologun Ruzhdi Plangaj, imam i xhamisë së Kirasit dhe teologen Ferzet Ndoja, si murshide për gratë haxhilere.
Myftinia Shkodër uron të githë haxhilerët e Shkodrës, Shqipërisë dhe mbarë ymetit, Haxh të pranuar!