Ditën e hënë, më 18 prill 2022, në ditën e 17-të të muajit të Ramazanit, Myftinia Shkodër, përmes sektorit të arsimit organizoi iftarin e radhës më nxënësit e mejtepeve/kurseve fetare që zhvillohen, pranë xhamisë dhe Qendrës Kulturore, Oblikë.
Në këtë iftar, përveç pjesëmarrjes së rreth 60 nxënësve të niveleve të ndryshme të mejtepeve, imamit Nadi Braqi dhe mësueses të mësim-besimit, znj. Kimete Elezi mori pjesë drejtuesi i arsimit, pranë Myftinisë Shkodër, teologu Arben Halluni, i cili përpara çeljes së iftarit, u mbajti një bisedë të shkurtër me këshilla të dobishme, ku vuri në dukje se prezenca e fëmijëve dhe e të rinjve në sofrat e iftarit, në faljen e namazeve të teravive, në mexhliset e këndimit të Kur’anit Famëlartë dhe të mësim-besimit, është pa dyshim një tregues i dalluar i një vitaliteti dhe gjallërie që ata japin në këtë muaj të shenjtë Ramazanit.
Në fund të iftarit, imami i xhamisë dhe mësuesja e kurseve fetare, bënë dua-lutjen si dhe më pas të gjithë të pranishmit falën bashkarisht namazin e akshamit.
Projekti i sofrës së iftareve të vëllëzarisë do të vijojë edhe në disa xhami dhe qendra të tjera islame, të rrethit të Shkodrës.