Paraditën e të enjtes, më 19 maj 2022, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një vizitë kortezie në zyrën e kryetarit të ri të Bashkisë Shkodër, z. Bardh Spahia.
Myftiu i Shkodrës i përcolli kryebashkiakut urimet më të përzemërta me rastin e zgjedhjes në drejtimin me përgjegjësi të Bashkisë Shkodër.
Gjatë takimit, Myftiu konfirmoi dëshirën për të vazhduar bashkëpunimin me Bashkinë e Shkodrës dhe personalisht me kryetarin Spahia në interesin më të mirë të komunitetit.
Në një prononcim mediatik Imam Muhamed Sytari tha: “I shpreha kryebashkiakut, Dr. Bardh Spahia se Myftinia Shkodrës do të jetë siç ka qenë gjithmonë në krah të kryetarit të bashkisë për projekte dhe iniciativa të dobishme për qytetin e Shkodrës, për qytetarët pa asnjë dallim si dhe dëshirën tonë të madhe që këtë mozaik të bukur që Zoti i ka dhënë Shkodrës, këtë harmoni dhe diversitet të vlerave me u përkujdesë që me e ruajt, me e trashëgu dhe me çu gjithnjë e më përpara, duke marrë gjithsecili përgjegjësitë e veta si dhe duke bërë më të mirën e mundshme…”.
Ndërsa, kryetari i Bashkisë, z. Bardh Spahia, falënderoi Myftiun Imam Muhamed Sytari për vizitën dhe urimet, duke e siguruar se bashkëpunimi me komunitetet fetare në Shkodër në përgjithësi, por atë mysliman në veçanti do të jetë i vazhdueshëm e konkret.
Ndërkohë z. Spahia vlerësoi shumë kontributin e Myftiut dhe të Myftinisë në shërbim të jetës fetare dhe atë sociale në qytetin e Shkodrës, por edhe të ruajtjes së harmonisë dhe bashkëjetesës që është një simbol i vyer për mbarë Shqipërinë dhe përtej saj…
Me rastin e kësaj vizite, Myftiu i dhuroi Kryetarit të ri të Bashkisë Shkodër, një kopje të Kur’anit me përkthim të kuptimeve të tij në gjuhën shqipe dhe disa prej botimeve të tij.
Në këtë takim, Myftiu shoqërohej nga z. Arben Halluni dhe z. Lavdrim Hamja.