Ditën e hënë, më 30 gusht 2022, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari zhvilloi një vizitë në bibliotekën e qytetit, ku u prit nga drejtori i saj. z. Maxhid Cungu dhe ku së bashku zhvilluan një bisedë rreth vlerave që përmbajnë fondet e bibliotekës dhe në mënyrë të veçantë ekzemplarët e Fondit të Antikuareve.
Bashkëbisedimi u ndal edhe rreth botës së librit, trashëgimisë së dijetarëve elitarë dhe domosdoshmërisë së ruajtjes së tabanit, përballë nihilizmit dhe komplekseve të panevojshme që ia shkurtojnë jetën historisë së qytetit tonë dhe traditave të tij.
Ndërkaq, Myftiu u njoh me aktivitetet e ndryshme që zhvillon biblioteka në ruajtjen, dixhitalizimin e librave dhe shërbimin ndaj lexuesve.
Nga profili i tij në facebook, Imam Muhamed Sytari shkruan: “Pata kënaqësi të konsumoj kafen e mëngjesit me drejtorin e bibliotekës së Shkodrës, të nderuarin z. Maxhid Cungu, me të cilin zhvilluam një bashkëbisedim të vyer rreth botës së librit, trashëgimisë së dijetarëve elitarë dhe domosdoshmërisë së ruajtjes së tabanit, përballë nihilizmit dhe komplekseve të panevojshme që ia shkurtojnë jetën historisë së qytetit tonë dhe traditave të tij.
I dhurova librin tim të ri: “Meditime”, me shpresën e një kujtimi të mirë dhe lutjes në heshtje”.
Vizitën e Myftiut e publikoi edhe biblioteka e qytetit në profilin e saj në facebook, duke u shprehur: “Biblioteka “Marin Barleti”, pasurohet herë pas here me libra të rinj të cilët dhurohen nga vetë autorët. Kësaj radhe ishte vetë Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari i cili dhuroi disa kopje të librit të tij të ri “Meditime”. Myftiu i shoqëruar nga teologu z. Arben Halluni drejtues i arsimit, pranë Myftinisë, u prit nga drejtori i Bibliotekës z. Maxhid Cungu ku së bashku zhvilluan një bisedë rreth vlerave që përmbajnë fondet e bibliotekës dhe në mënyrë të veçantë ekzemplarët e Fondit të Antikuareve. Myftiu u njoh gjithashtu me aktivitetet e ndryshme që zhvillon biblioteka në ruajtjen, dixhitalizimin e librave dhe shërbimin ndaj lexuesve”.