Vakëfet janë amanet, të kujdesimi dhe t’i mirëmbajmë ato..!
Ditën e martë, më 24 janar 2023 administratori i Myftinisë Shkodër, z. Saimir Dritareti inspektoi xhaminë dhe vakëfin e fshatit Vukatanë, të Njësisë Administrative Guri i Zi.
Fillimisht, ai inspektoi xhaminë e re dhe vakëfin përreth të saj, të dhuruar nga vetë banorët e këtij fshati, ku pa nga afër iniciativën e bukur dhe të lavdërueshme të mbjelljes së 99 rrënjë ullinjve nga banori i këtij fshati, z. Vullnet Pishtari.
Dritareti e falënderoi për këtë iniciativë të mirë dhe i shprehu mirënjohje për këtë projekt të zhvillimit të vakëfit, duke theksuar se zhvillimi i vakëfeve dhe vënia e tyre në eficensë është edhe qëllimi i dhurimit të tyre.
Më pas, u inspektuan edhe vakëfi tjetër i këtij fshati, vakëfi i xhamisë së vjetër dhe varrezat e vjetra të periudhës osmane, të cilat dëshmojnë për shpirtin bamirës dhe afetarizmin e myslimanëve të kësaj zone me tradita të hershme islame.
Myftinia Shkodër falënderon të gjithë ata, që kujdesen për vakëfet e dhuruara dhe të trashëguara dhe njëkohësisht bën thirrje, që jo vetëm të mirëmbahen dhe të vihen në zhvillim këto vakëfe, por edhe të shtohen përmes dhurimit të tyre nga ana bamirësve të ndryshëm.