Paraditën e së shtunës, më 15 tetor 2016, Myftinia Shkodër organizoi një takim vëllazëror me haxhilerët shkodranë të këtij viti. Me këtë rast, u këmbyen urime dhe lutje për pranim e Haxhit dhe mbarësinë e haxhilerëve në jetë.
I pranishëm në këtë takim të përzemërt ishte edhe Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj, Drejtori i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, z. Kujtim Dervishi, imamë e familjarë.
Në fjalën e tij, Myftiu i Shkodrës, theksoi se haxhilerët janë si një familje besimi dhe vlerash, që shpërndajnë kudo mirësitë e adhurimit dhe besimit në All-llah. Ai tha se tashmë, secili prej haxhilerëve duhet ta konsiderojë veten e tij si një thirrës islam, që shpërndan kudo rrezatimet e paqta të Haxhit.
Aktivitetin e përshëndeti edhe Myftiu i Malësisë së Madhe, i cili pasi uroi haxhilerët, theksoi se emocionet e takimit me “të ftuarit e All-llahut” janë të mëdha, sidomos kur kujtojmë madhështinë e këtij adhurimi, vendet e shenjta që vizitohen, emocionet që përftohen, përshpirtjet që fitohen etj.
Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe teologu Ruzhdi Plangaj, i cili këtë vit ishte murshid i grupit. Ai falënderoi krejt të pranishmit dhe haxhilerët e tjerë që munguan për frymën e bashkëpunimit dhe mirësitë e përjetuara në ditët e Haxhit.
Më pas, shumë prej haxhilerëve të këtij viti ndanë së bashku emocione dhe kujtime të pashlyera nga udhëtimi i bukur dhe i paharruar i këtij viti, ai i vendeve tona të shenjta në Mekë dhe Medine.