Myftiu u njoh me ribotimin privat të “Surja e Jasinës”, përkthye nga Shefqet Muka

Myftiu u njoh me ribotimin privat të “Surja e Jasinës”, përkthye nga Shefqet Muka

Paraditën e së hënës, më 31 korrik 2023, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt, të nderuarin z. Adnan Muka, trashëgimtar i intelektualit të shquar musliman shkodran, z. Sheuqet Muka (1887-1967).

Me rastin e kësaj vizite, z. Adnan Muka, i dhuroi Myftiut të Shkodrës, ribotimin privat të botimit të hershëm të sures “Jasin”, që zotnia e tij, pat mirësinë të risjellë për lexuesit, për shpirt të babait të tij dhe në kujtim të kontributit të tij të vyer.

Në zanafillë, z. Sheuqet Muka, e botoi këtë vepër në vitin 1929, me pseudonimin e tij të njohur, “Shkodrani”.

“Surja e Jasinës, perkëthye prej Shkodranit – Shkodër, Shtypshkronja “Ora e Shkodrës”, 1929″, përveç parathënies së autorit, përmban përkthimin e kujtimeve të sures “Jasin” në gjuhën shqipe. Është një material shumë i vyer për njerëzit e fushës së tefsirit të Kur’anit, a studiuesve të shkencave islame në përgjithësi, si dhe një gjurmë me vlerë, në gjerdanin e veprave të panumërta të hoxhallarëve, intelektualëve dhe shkrimtarëve muslimanë të hershëm të qytetit të Shkodrës.

Gjatë bashkëbisedimit, u diskutua edhe për mundësinë e promovimit të këtij botimi të ri dhe shpërndarjen e tij për të interesuarit.