Myftiu priti administratorin e agjencisë “Idriz Travel Umra”
Ditën e hënë, më 31 korrik 2023, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt teologun Idriz Çela, administrator i agjencisë “Idriz Travel Umra”, Tiranë.
Gjatë bashkëbisedimit, Myftiu falënderoi z. Çela për kontributet e tij në shërbim të besimtarëve që shkojnë për të kryer Umren, ku një numër i madh i tyre nga qyteti i Shkodrës, janë klientë të rregullt të kësaj agjencie ndër vite.
Nga ana e tij, administratori Çela, theksoi se shërbimet ndaj vizitorëve të vendeve të shenjta janë detyrim moral dhe përgjegjësi fetare, por edhe kënaqësi shpirtërore, sidomos kur e prek kënaqësinë dhe përshpirtjen e tyre në Mekë dhe Medinën e Ndriçuar.
Ai përmendi disa raste, ku vizitorët e Qabes së Madhnueshme nga qyteti i Shkodrës, kishin pasur përjetime të mrekullueshme dhe që akoma përmenden si shembull i korrektësisë, qytetarisë dhe vlerave islame.
Gjatë takimit u diskutua për rrugët e bashkëpunimit, në shërbim të besimtarëve dhe të interesuarve për kryerjen e Umres në kushte komode dhe me shërbimet e duhura.
Myftiu garantoi se dera e Myftinisë Shkodër është e hapur për çdo mundësi që i ofrohet besimtarëve të saj, sidomos për kryerjen e këtij adhurimi të shumëdëshiruar.