Myftiu: “Qendra ‘Minber’, vlerë e shtuar në shërbim të Thirrjes Islame!”
Ditën e hënë, më 14 gusht 2023, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një takim pune në ambientet e Qendrës “Minber”, në Tiranë, ku u prit nga drejtori i saj, Dr. Ferid Piku, me bashkëpunëtorë.
Në krye të herës, Myftiu Sytari uroi teologun dhe studiuesin e mirënjohur, Dr. Ferid Piku, për bashkëpunimin e deritanishëm, sidomos me përfshirjen e disa imamëve të Myftinisë Shkodër në trajnimet shkencore, që “Minber” organizon në bashkëpunim me partnerë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit.
U diskutua rreth domosdoshmërisë së shtimit të aktiviteteve shkencore, tryezave intelektuale dhe trajnimeve për imamët dhe hatibët e vendit, në kuadër të rritjes së cilësisë së ligjërimit fetar në minberet tona.
Nga ana e tij, Dr. Piku e falënderoi Myftiun e Shkodrës për vizitën dhe shprehu mendimet e tij të vyera në lidhje me rrugët e bashkëpunimit dhe forcimin e tij në mesin tonë.
Të dy bashkëbiseduesit ishin të mendimit që realitetet e sotme të aktivitetit islam në vendin tonë, kanë nevojë për përmirësim në drejtim të rritjes së vetëdijes islame dhe përballjes me sfidat e ndryshme të kohës, sidomos ato që lidhen me rininë.
Myftiu dhuroi për librotekën e Qendrës “Minber” kolanën prej 12 vëllimesh të “Buletinit” të Myftinisë Shkodrës, si dhe e ftoi ligjëruesin e dashur për besimtarët, Dr. Ferid Piku për të ligjëruar në një prej të xhumave të ardhshme në njërën prej xhamive qendrore të Shkodrës.