U promovua: “Surja e Jasinës”, përkthye nga Sheuqet Muka në vitin 1929
Pasditën e së mërkurës, më 23 gusht 2023, në bahçen e xhamisë së Fushë Çelës, Myftinia Shkodër, organizoi promovimin e ribotimit të përkthimit të kuptimeve të sures Jasin, nga rahmetliu, z. Sheuqet Muka, ribotim privat i të birit, të nderuarit z. Adnan Muka.
Familjarë të autorit, intelektualë, trashëgimtarë të hoxhallarëve të shkuar të Shkodrës, imamë e studiues të ndryshëm, ishin sëbashku në këtë tubim vlerash.
Nëpërmjet fjalëve të tyre të rastit, teologu Arben Halluni, Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, ish-Myftiu i Shkodrës, Haxhi Bashkim Bajraktari dhe teologu dhe studiuesi Ardit Ulqinaku, hodhën dritë mbi vlerat e këtij botimi, mesazhet largpamëse të autorit, vlerën e sures Jasin në trashëgiminë islame, historikun e përkthimit të Kur’anit në trojet shqiptare dhe rëndësinë e këtij botimi në gjuhën shqipe.
Me shumë emocion, u ndoq fjala e të nderuarit, z. Adnan Muka, i cili, fjalën e tij e nisi me recitimin e një pjese nga sureja Jasin.
Më pas, ai foli mbi kontributet e Babës së tij, z. Sheuqet Muka, persekutimet dhe burgosjen nga sistemi komunist dhe, mbi të gjitha, përgatitjen e tij, si intelektual musliman i afirmuar, njohës i pesë gjuhëve të huaja, i edukuar tek hoxhallarët e nderuar: Sheh Shaban Domnori, Hysen ef. Vuthi, H. Muhamed Bekteshi, etj.
Me rastin e këtij takimi vlerash, z. Adnan Muka i dhuroi Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, disa prej botimeve dhe dorëshkrimeve të babait të tij, z. Sheuqet Muka.
Për të pranishmit u shpërnda botimi i ri, që nga dita e sotme do të jetë pjesë e librotekave të shtëpive tona.