Dr. Ferid Piku: “Kapakët e Kur’anit nuk duhet të na i prekë pluhuri!”
Pasditën e së mërkurës, më 30 gusht 2023, Myftinia Shkodër, organizoi një aktivitet kulturor, me ligjërues të nderuarin, Dr. Ferid Piku, drejtor i Qendrës “Minber”.
Aktiviteti me temë: “Kur’ani në jetën e muslimanit”, mblodhi të rinj të shumtë, imamë, studiues, intelektualë dhe drejtues të institucioneve.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, falënderoi të pranishmit dhe miqtë nga Tirana, sikurse dha një mesazh me vlerë mbi domosdoshmërinë e respektimit dhe vlerësimit të Fjalës së Allahut në jetën e përditshme.
Me shumë interes u ndoq ligjërata e Dr. Ferid Pikut, i cili bëri një pasqyrim të mrekullueshëm shkencor të përmbajtjes së Kur’anit dhe mesazheve të tij, për të cilat ka nevojë raca njerëzore.
Ndër të tjera, theksoi: “Kapakët e Kur’anit nuk duhet të na i prekë pluhuri! Nëse kjo ndodh, do të thotë se ne të parët nuk kemi respekt për Fjalën e Zotit!”
Poashtu tërhoqi vëmendjen e muslimanëve, duke thënë se: “Kur’ani nuk është shpallur që vetëm të mbahet pastër e kudo lart, por të lexohet dhe të punohet me të në jetën e përditshme”!
Aktiviteti u përshëndet edhe nga z. Korab Kaja, drejtor i fondacionit “Mirësia”, që falë bashkëpunimit me Myftininë Shkodër, mundësoi shpërndarjen e një sasie të madhe të përkthimit të kuptimeve të Kur’anit Famëlartë për besimtarët.
Ai tha, se projekti i shpërndarjes së këtij botimi me vlerë, rifreskon marrëdhënien që duhet të kemi me Librin e Allahut në përditshmërinë tonë.
Për të pranishmit u shpërnda botimi i ri i përkthimit të kuptimeve të Kur’anit, si dhuratë e një dite të paharruar.