Përgatitjet e fundit për përkujtimin e 16 nëntorit 1990
Paraditën e së hënës, më 30 tetor 2023, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një takim pune, në mbyllje të përgatitjeve për përkujtimin e datës historike të 16 nëntorit 1990, kur qytetarët e Shkodrës dhe besimtarë të tjerë të ardhur nga qytete të ndryshme, dëshmuan atë mrekulli të besimit dhe forcës së shpirtit, bri kalasë Rozafa, tek xhamia e Plumbit.
Gjatë këtij takimi, Myftiu dha udhëzimet e fundit për realizimin e disa aktiviteteve të propozuara edhe nga këshilltarë të Myftinisë Shkodër, më qëllim ruajtjen e simbolikës së kësaj date të shtrenjtë për mbarë kombin.
U ra dakort për unifikimin e hytbes së xhumasë që i paraprin datës 16 nëntor 2023, organizimin e takimeve, vizitave dhe mesazhin zyrtar të kësaj dite.
Ditëve në vijim, Myftiu do të takojë edhe imamët e qytetit dhe të fshatit, me qëllim përhapjen e dritës dhe madhështisë që mban në vetvete kjo datë.