Myftiu: “Lutemi që paqja të kthehet në vendet e përfshira në luftë!”
Paraditën e së hënës, më 25 dhjetor 2023, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i shoqëruar edhe nga teologu Arben Halluni dhe drejtori i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, z. Kujtim Dervishi, zhvilloi vizitat tradicionale në dy kishat e Shkodrës, ku u prit nga autoritetet më të larta të krishtera të qytetit.
Myftiu uroi fillimisht në kishën ortodokse, pastaj në kishën katolike, ku ndau mesazhet e tij me Atë Aleksandër Petanin dhe Mons. Angelo Massafra.
Në një mesazh dhënë për mediat e pranishme, Myftiu theksoi se, duhet ta falënderojmë Zotin për mirësinë e paqes dhe harmonisë, sepse në vende të tjera, ka luftra të egra e barbare, që pengojnë njerëzit të kryejnë adhurimet e festat e ndryshme fetare në paqe, por jo vetëm.
Myftiu u lut që mëshira e Zotit të përfshijë çdo cep të botës, të përfshirë në luftra e sprova të përçarjes e urrejtjes, që e bëjnë jetën terr!
Myftiu u lut për bekime e mirësi për qytetin tonë dhe besimtarët pa dallim.