Tre Muajt e Mirë, ligjërata në xhaminë e lagjes Kiras
Ditën e shtunë, më 20 janar 2024, pas namazit të drekës, në xhaminë Kiras, Myftinia Shkodër organizoi me rastin e fillimit të Muajve të Mirë tribunën e radhës me temë: “Tre Muaj bekim e afrim!”.
Në këtë aktivitet merrnin pjesë imamë, teologë dhe besimtarë të moshave të ndryshme.
Pas fjalës së hapjes nga imami i xhamisë Kiras, H.Ruzhdi Plangaj, mbajtën ligjëratat e tyre imamët e nderuar, H. Durim Kasemi, me temë: “Takvaja, si sekret mbarësie në jetë” si dhe H.Ardit Hoxha, me temë: “Agjërimi, si dëshmi e përuljes me dashni ndaj Allahut (xh.sh)”.
Të dy imamët e nderuar, përmes temave përcollën vlerën e takvasë(devotshmërisë) si pjesë e rëndësishme e besimit, adhurimit dhe moralit islam si dhe këshilla të dobishme në lidhje me përgatitjen shpirtërore dhe fizike përmes agjërimit vullnetar dhe veprave bamirëse në mënyrë për të mbërritur në përshpirtmërinë më të madhe që e karakterizon zotërinë e të gjithë muajve të vitit, muajin e begatë të Ramazanit.
Këto tribuna fetare do të vazhdojnë gjatë këtyre tre muajve të mirë edhe në xhami të tjera të qytetit dhe të fshatit.