Unë nuk jam kujdestar i fesë, as pasqyra e saj!
Nuk përkufizohet Islami në veprimet e mia, as në sjelljen time, as në dijen a preferencat e mia intelektuale! Nëse ndonjeherë keni kuptuar të kundërtën e saj në fjalët a shkrimet e mia, ju kërkoj shumë ndjesë!
Islami është feja e Zotit, dini i Allahut, paketa më e sigurtë për udhëzimin e njeriut në jetë, ndërsa unë e ju jemi njerëz dhe, njeriu është i mangët, i gabueshëm!
Për këtë, tek ne në Islam, feja konsiderohet rregullator i jetës, ndërsa besimtari ftohet të jetë shembull i saj, pasqyrim i vërtetësive të saj në moral e sjellje, në mendime e ndjenja, në dituri e përparim dhe përtej tyre, duke u disiplinuar me rregullat e saj, duke respektuar vijëzimet e rrugës së gjatë…
Fakti që të dërguarit e Allahut ishin njerëz, pasqyron më së miri, se feja ka një rol të pazëvendësueshëm në edukimin dhe disiplinimin e jetës së njeriut, sipas hartës më të saktë të edukimit dhe udhëzimit të saj, që Zoti shpalli për njerëzimin, për të mos e lënë atë në dorë të egos dhe kapaciteteve të ngushta, në përmasat e të cilave, e krijoi!
Por, ndodh që njeriu, për një arsye a një tjetër, të humbasë ekuilibrin, të gabojë, të hutohet, të bëjë gjynah, të bie në batakun e egoizmit, mendjemadhësisë, vetëkënaqësisë e arrogancës. Në këtë rast, assesi nuk duhet marrë për bazë e t’i llogaritet fatura e lëkundjeve të tij, fesë!? Nëse reflekton dhe pendohet, Zoti e faltë dhe e mëshiroftë. Nëse jo, Zoti e shëroftë, se është i sëmurë rëndë! Ndërsa feja, feja mbetet qelibar, e paprekur, e papërlyer!
Feja qëndron mbi njeriun! Njeriu që disiplinohet me fenë dhe dëshmohet si “Kur’an i gjallë”, që lëviz mbi tokë, dëshmon mrekullinë e saj në jetën tonë. Por, as ky lloj njeriu, as ndonjë tjetër, kurrësesi nuk ka, as mund të ketë të drejtë ta konsiderojë veten si mbikqyrës i fesë, i Thirrjes Islame, i institucioneve fetare e përtej tyre! Njeriu është kalimtar, feja jo, nuk vdes as shuhet me njërin a tjetrin, as shuhet me dhunimin, cënimin, shpifjen a trillimin, luftën a përpjekjet kundër saj!
Unë nuk jam mbikqyrës i fesë, as pasqyra e saj! Kjo fé dhe kjo Thirrje qëndrojnë mbi mua dhe përtej meje! Unë fisnikërohem duke i shërbyer me sa të kem mundësi, forcë e jetë!
Ato bëjnë edhe pa mua, njësoj si çdo institucion ku mund të kem punuar, a aktualisht ku vazhdoj të shërbej! Kjo është një mesele, që vlen t’ia kujtojmë shpesh vetes, më së paku!
Allahume na bëj çelësa të së mirës, drynj të së keqes dhe na mbro nga intrigat e kësaj bote kalimtare dhe bataku i së keqes, injorancës, mediokritetit!
Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 7 shkurt 2024