Myftinia Shkodër shpërndan 80 pako ushqimore të Ramazanit për Para-Tetraplegjikët
Ditën e martë pasdreke, më 19 mars 2024, Myftinia Shkodër shpërndau 80 pako ushqimore për Para-Tetraplegjikët.
Këto pako janë fryt i bashkëpunimit, tashmë të përvitshëm, me Helping Hand for Relief and Development, USA, përmes së cilës këtë vit janë siguruar 270 pako ushqimore të Ramazanit, që do t’u shpërndahen njerëzve dhe familjeve në nevojë.
Koordinatori i ndihmave pranë Myftinisë Shkodër, teologu Ervil Kuçi u shpreh se, muaji i Ramazanit është muaji i solidarizimit dhe i bamirësisë, për këtë arsye ne sot jemi në krah të vëllezërve dhe motrave tona para-tetraplegjikë. Myftinia Shkodër, si çdo vit, do të vazhdojë misionin e saj, duke mbështetur familjet dhe njerëzit në nevojë, sepse ky është një amanet dhe detyrë fisnike, që stafi i Myftinisë Shkodër e krye prej vitesh me shumë përkushtim.
Teologu Kuçi theksoi se shpërndarja e pakove ushqimore për familjet në nevojë do të vazhdojë për gjatë gjithë muajit të Ramazanit për kategoritë e tjera të komunitetit. Ai falënderoi donatorët, të cilët në bashkëpunimi dhe koordinim me Myftininë Shkodër mundësuan realizimin e shpërndarjes së pakove për Ramazanin 2024. Gjithashtu ai u bëri thirrje biznesmenëve dhe individëve të ndryshëm, që të mbështesin projektet dhe nismat e Myftinisë Shkodër, duke kontribuar për familjet dhe shtresat e ndryshme, që kanë nevojë për mbështetje dhe solidarizim.
Ndërkohë, edhe kryetari i Shoqatës së Para-Tetraplegjikëve, z. Saimir Ustabeqiri falënderoi Myftininë Shkodër dhe Myftiun, Imam Muhamed B. Sytari për bashkëpunimin e vazhdueshëm me shoqatën e tyre.
Myftinia Shkodër falënderon shoqatat dhe fondacionet e ndryshme, që kanë kontribuuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë me projekte të larmishme bamirëse gjatë Ramazanit, por jo vetëm.