Myftiu i Shkodrës ligjëroi në xhaminë ASR në Ingolstadt të Gjermanisë
Me ftesë të Bashkësisë Islame “ASR” e.V. Ingolstadt, kryetarit të saj, H. Mirsad Dervishi dhe imamit të nderuar, Hfz. Xhelal Kaloshi, Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, ishte mik i nderuar në aktivitetet e organizuara, ditën e shtunë, më 30 mars 2024, në atmosferën e begatë të Muajit Ramazan 1445.
Në një frymë të mrekullueshme të besimit, vëllazërisë dhe harmonisë islame dhe kombëtare, Myftiu ishte ligjërues në tribunën e organizuar para namazit të teravisë, ku iu drejtua besimtarëve të pranishëm, kryesisht djem të rinj, me një këshillë fetare, për të vazhduar në rrugën e udhëzimit, dritës dhe krenarisë islame, duke respektuar kufijtë e shënuar në Kur’an dhe duke respektuar traditat islame të trashëguara nga hadithet e shumta, si dhe duke e dëshmuar veten si elitë e shoqërisë, me dinjitet e përkushtim.
Tribunën e përshëndeti më herët edhe H. Xhelal ef. Kaloshi dhe u zbukurua me leximet e disa pjesëve kur’anore dhe ilahive nga Hafiz Ensar Berisha.
Myftiu ishte pjesë edhe bashkëbisedimit me rininë dhe besimtarët e kësaj xhamie, në ndejen pas namazit të teravisë, ku iu përgjigj pyetjeve të drejtuara nga të pranishmit, si dhe ndau me ta momente të paharruara vëllazërore.
Më herët, Myftiu zhvilloi një bashkëbisedim vëllazëror me Kryetarin e B.Islame “ASR” e.V. Ingolstadt, H. Mirsad Dervishi dhe me imamin e nderuar, personalitetin e shquar shqiptar e me famë botërore të leximit dhe këndimit të Kur’anit Famëlartë, H. Xhelal ef. Kaloshi, me të cilët ndau mendime dhe ide për rritjen e bashkëpunimit, si dhe këmbeu dhuratat simbolike të kësaj vizite të shënuar.