Myftiu i Shkodrës kundërshton martesat e LGBT-së dhe të surrogacisë
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, në dersin e ditës së xhuma, më 24 maj 2024, nga xhamia e “Dy Vajzave” ka reaguar ndaj veprimeve të cilat cenojnë familjen shekullore shqiptare.
“Ti e kupton shumë mirë se shumë ekuilibra janë prishur. Koha është që gjithë secili prej nesh të ketë kurajo si besimtar ta jetojë fenë e tij. Pra, në 2024 ka degraduar shoqëria shqiptare dhe realitetet shqiptare deri në atë pikë sa të kërcënohet familja! Organizimi më i shenjtë dhe më i shëndoshë i historisë së njerëzimit të cenohet sot në realitetet shqiptare?
Duhet të kemi kujdes se pas dritares mund të jetë avokati i popullit apo mashat e tij, e mund të shkojmë në burg unë edhe Kur’ani, ne edhe Kur’ani! Allah! Kjo jo vetëm që nuk është diçka normale, por ky është një paradoks i neveritshëm, i parë në atë që quhet tarraca e institucionit të Bashkisë së Tiranës. Një veprim të çuditshëm, jo-legjitim, të ndaluar në vendin tonë dhe që paradoksalisht me praninë e nënkryetares së Bashkisë së Tiranës, jo vetëm që u legjitimua, por u bë publik dhe i bujshëm. Personazhet e atij akti të papranueshëm vazhdojmë t’i shohim edhe sot e kësaj dite në të gjitha mediet duke u marrë në pyetje, si të kishin shpikur apo të kishin sjellë në dritë zbulimin më të rëndësishëm për jetën e racës njerëzore.
Është e papranueshme që institucioni i Bashkisë Tiranë të kthehet në një fushë gabi, ku kushdo, kur të dojë e si të dojë, në çoroditjen e tij morale, shpirtërore, intelektuale, njerëzore mund të vijë dhe mund të predikojë të tijën pa i hyrë ferrë në këmbë!”
Myftiu Sytari i bëri thirrje të gjithë politikanëve, kryeministrit të vendit dhe deputetëve të mos miratojnë projektligjin për legjitimimin e LGBT, abortin dhe surrogacërinë.
“Politika që thërrasin drejt shoqërisë së hapur dhe që për fat të keq e drejtojnë këtë vend prej dekadash, patjetër që e marrin për dore individin dhe shoqërinë shqiptare drejt greminave, drejt shkatërrimit dhe prishjes së tabanit tonë kombëtar e njerëzor. E vetmja deputete prej deputetëve të Shkodrës, profesoresha Greta Bardeli më ka telefonuar disa herë dhe kemi komunikuar disa herë. E kam vlerësuar maksimalisht qëndrimin e saj dinjitoz në parlamentin e vendit tonë në mbrojtje të asaj që është tabani jonë kombëtar, tabani i familjes.
Do dëshiroja që edhe deputetët e tjerë të Shkodrës, ca të njohur edhe ca anonim të kishin qëndrime dinjitoze. Qeveria shqiptare, kryeministri jonë meqenëse është edhe prind, deputetët e vendit tonë, meqë shumica e tyre janë prindër, mos të kalojnë projektligjin për legjitimimin e abortit dhe surrogacërinë”.