Myftiu priti një grup studentësh në Universitetin Islam të Medines së Ndriçuar
Paraditën e së enjtes, më 8 gusht 2024, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt një grup studentësh nga Shkodra dhe Malësia e Madhe, që vijojnë studimet islame në Universitetin Islam të Medines së Ndriçuar, në Arabinë Saudite.
Gjatë takimit, Myftiu u interesua për gjendjen e studentëve, kushtet dhe arritjet e tyre në këtë rrugëtim të begatë.
Myftiu iu drejtua studentëve tanë me disa këshilla, për shfrytëzimin e kohës, për respektimin e vendit ku vijojnë shkollimin dhe forcimin e vëllazërisë e bashkëpunimit.
Bashkëbisedimi u përqendrua edhe tek gjurmët e hoxhallarëve tanë ndër shekuj dhe përgjegjësia e ruajtjes së kësaj trashëgimie, që na lidh me të Dërguarin e Allahut dhe amanetin e përhapjes së Thirrjes Islame në shoqëri.