Myftiu falënderon Presidentin e Republikës për qëndrimin ndaj fenomenit të mikrokredive
Gjatë hytbes së xhumasë të mbajtur, më datë 2 gusht 2024, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ndër të tjera shprehu edhe falënderimin e tij për presidentin e Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, për thirrjen e tij drejtuar parlamentit në lidhje me fenomenin e mikrokredive.
Ndër të tjera, Myftiu tha: “Ditën e djeshme, isha për vizitë te Presidenti i Republikës, në një takim të përbashkët me Zotërinë e tij, ku e falënderova përzemërsisht për qëndrimin e Tij shumë fisnik, njerëzor dhe logjik, në lidhje me përhapjen e fenomenit të mikrokredive.
E dini dhe mund të keni dëgjuar, se sa e sa njerëz janë prekur nga kjo “e mirë” gjoja, për të të dhënë diçka për të nxjerrë nga bataku ku ke rënë, pastaj paguaj e paguaj, e ndoshta mbetesh peng i asaj që ke marrë duke t’u prishur e shkatërruar jeta, siç i është prishur dhe shkatërruar shumëkujt!
Hoxha i jonë dhe ekonomisti më i madh islam i këtij shekulli, Myfti Tekijudin Osmani, Allahu e nderoftë dhe i dhashtë jetë të gjatë e shëndet të plotë, më tha një ditë, kur e pyeta për fetvatë, që dalin për legjitimimin e marrjes së kredive; më tha: “E ku t’i çoj unë ajetet, që flasin për luftën e Allahut dhe të Pejgamberit të tij, ndaj atyre që zhyten në detin dhe llumin e kamatës dhe haramit; ku t’i çoj ajetet?!”
Prandaj, të dashur dhe të shtrenjtë, thirrja e presidentit të Republikës sonë, është thirrja e logjikës së pastër të zhvillimit të jetës me ndershmëri dhe mospërfitimit të dikujt në kurrizin e dikujt tjetër!
Mirëpo, karshi kësaj dhe përtej asaj, që mund të bëjnë institucionet e vendit tonë për të shëruar këtë plagë të dhimbshme të shoqërisë tonë, lypset që institucionet tona islame dhe mendjet e ndritura muslimane të këtij vendi, të mendojnë për ngritjen e një Fondi Islam për Zhvillimin. Të mendojnë për ngritjen e një fondi islam për njerëzit në nevojë, sepse ka shumë njerëz, të cilët mezi kalojnë muajin; ka të sëmurë, që me vështirësi blejnë ilaçet e përmuajshme; pa le pastaj, po t’i qasemi operacioneve apo ndërhyrjeve të frikshme përsa i përket çmimeve, që dëgjojmë dhe shohim në realitetet e sotme shqiptare.
Detyra jonë është të mendojmë për t’i ofruar njerëzve zgjidhje, jo thjeshtë duke miratuar dhe konstatuar, apo me falënderime për dikë, që me të drejtë e çon zërin aty ku duhet dhe në momentin kur duhet!”
Hytbeja e plotë: