Myftiu i Shkodrës merr pjesë në promovimin e hafizit më të ri në Shkup
Ditën e mërkurë, më 11 shtator 2024, me ftesë të Myftiut të Shkupit, Qenan ef. Ismaili, Myftiu i Shkorës, Imam Muhamed B. Sytari, mori pjesë në ceremoninë e promovimit të hafizit më të ri në Shkup, Hfz. Asad G. Idrizi.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryetari i Bashkësisë Islame Fetare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Reisul-Ulema, H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu, i cili në fjalën e tij, ndër të tjera, theksoi: “Falënderojmë Allahun e Madhërishëm, i Cili na mundësoi këtë atmosferë të ngrohtë dhe të mrekullueshme shpirtërore. Zoti na ka bërë pjesë të njerëzve dhe na ka nderuar që kemi marrë përsipër detyrën e shpërndarjes së fjalës së Allahut. Kjo vepër na lidh me gjitha kohët, nga Muhamedi (a.s) e deri sot… Islami është fe e dijes e moralit dhe humanitetit. Hafiz Asadi sot ka marrë një titull të madh nga i madhi Zot, mbrojtës i fjalës së Tij. Ai ka dhënë kontribut dhe arriti sukses, sepse ka pasur vullnet të madh, ka pasur një muhafidh të mrekullueshëm, ka pasur familjen e cila nuk ka kursyer asgjë për këtë arritje… Falënderojmë Myftiun e Shkodrës, i cili ka marrë një rrugë të gjatë për të ndjerë kënaqësinë e promovimit të Hafizit.”
Aktivitetin e përshëndeti edhe nga Myftiu i Shkupit, që theksoi: “Dua të falënderoj të gjithë ata që u bënë sebep që ne jemi sot këtu. Falënderojmë edhe familjen e Hafizit e cila nuk kurseu asgjë për birin e tyre në këtë rrugë. Falënderoj edhe Reisul Ulemanë, i cili kur ka manifestime të këtilla, ai lë gjithçka për të prezantuar në promovimin e hafizëve. Myftiu Ismaili falënderoi edhe të gjithë hoxhallarët e vjetër, që përskaj persekutimit, dhunës dhe telasheve të shumta që përjetuan, ata nuk lejuan që ky popull të shkëputet nga feja dhe fjala e Allahut. Allahu i shpërbleftë të gjithë ata që në çfarëdo forme kanë kontribuar dhe kontribuojnë për këtë mirësi.”
Ndërkohë, në ligjëratën e mbajtur nga Myftiu i Shkodrës, si i ftuar special i kësaj ceremonie, u dhanë disa mesazhe me vlerë për të pranishmit duke vënë theksin te rëndësia e angazhimit me Kur’anin në jetën tonë të përditshme, mësimi i tij përmendësh, kuptimi i ajteteve kur’anore dhe praktikimi në përditshmëri.
Myftiu Sytari, falënderoi edhe mësuesin e hafizit më të ri në Shkup, të nderuarin Hfz. Sabatin ef. Nuhiu për punën e tij të madhe dhe përkushtimin e arritjes së këtij rezultati të shumëpritur.
Myftiu i Shkodrës theksoi se: “Allahu nuk e vendos Fjalën e Tj në një enë të thyer e të papastër. Numri i madh i hafizëve në Shkup, Tetovë dhe gjithandej në trojet tona shqiptare, është një argument se fjala e Allahut do të triumfojë!”
Ai porositi Hfz. Asad Gani Idrizin, duke i thënë se tani ai futet në listën e atyre që ruajnë fjalën e Allahut. “Allahu të dhashë forcën dhe madhështinë e luanit në ruajtjen e kësaj feje. Kudo që janë hafizët është begatia e Allahut!”
Në krye të herës, të pranishmit i përshëndeti edhe hatibi i xhamisë Sadush ef. Tairi, i cili mes të tjerash tha: “Në një skaj të botës po ndodhë një tufan e që quhet Tufani i Aksasë, por në të njëjtën kohë, nëpër botë tashmë po ndodhë edhe një tufan tjetër, tufani i davetit dhe shpërthimit të thirrjes në Islam. Kjo nuk ka tejkaluar as Shkupin dhe vendin tonë, ku kemi një tufan të hafizëve dhe hafizeve. Për këtë falënderojmë Allahun.”
Në fund të ceremonisë të pranishmit uruan hafizin më të ri në trojet tona shqiptare dhe ndan së bashku lutje dhe urime për këtë ngjarje të shënuar.
Fjalën e plotë të Myftiut të Shkodrës, e gjeni në linkun e mëposhtëm: